Çdo veprim që kryejnë policët kufitarë të Shqipërisë do të kontrollohen nga kamerat e sigurisë që do të vendosen në secilën kabinë, sipas një vendimi që ka marrë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Një javë më herët një aksion i përbashkët Shqipëri-Kosovë përfundoi me arrestimin e rreth 50 policëve kufitarë në pikëkalimin kufitar të Morinit nën dyshimin për korrupsion. Kjo ka bërë që në Shqipëri të merren masa për kontroll më të madh.
Nga autoritetet e Shqipërisë, policët akuzohen se kanë pranuar ryshfet për të lejuar kalimin e kufirit për dhjetëra qytetarë. Ata akuzohen për 312 vepra korruptive.
Nga hetimi ka rezultuar se policët i merrnin qytetarëve minimalisht nga 10 euro, për vepra të ndryshme penale, si kontrabanda, e në fund mjetet i ndanin me njëri tjetrin. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë, sipas Prokurorisë.