Dorentina Thaqi
Po mbahet seanca për 53 milionëshin, ku i akuzuar është ish-ministri i Transportit, Pal Lekaj.
Në këtë seancë janë duke u dëgjuar kundërshtimet e të akuzuarve rreth aktakuzës, ku edhe avokatët kanë kërkuar që të hidhet aktakuza.Mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati, deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore, është në vete kundërthënëse dhe e paqartë dhe se pika 1 dhe 2 aktit akuzues nuk ka arritur që të përshkruajë saktë dhe në mënyrë koncize se në çfarë vendi, mënyre dhe kohe dhe cilat janë veprimet inkriminuese të të mbrojturit.
Po ashtu, Damati tha se është me interes krucial se akti akuzues i kundërshtuar nuk ka arritur që të zgjidhë misterin e asaj se ku kanë mbetur ose ku ka përfunduar 53 milionëshi i famshëm, në llogari të kujt kanë shkuar, “në llogari të të mbrojturit tim assesi jo”.
Sipas tij, ky akt akuzues nuk ka arritur as të bëjë gjurmimin e tyre, ka raportuar Betimi për Drejtësi.
I akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare përveç Lekajt, është edhe Eset Berisha, ish-këshilltar i ministrit, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të lartcekurave.
Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.
Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.