Arbëri

Scholz: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të zbatohet

Scholz & Vuçiq

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka porositur Kosovën dhe Serbinë ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit, të rënë dakord shkurtin e vitit të kaluar.

Pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Freiberg të Gjermanisë të martën, Scholzi ka thënë se është e rëndësishme që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe së bashku ta ndjekin rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ka shumë gjëra për t'u marrë parasysh (për anëtarësim në BE) dhe presidenti (Vuçiq) po punon në mënyrë aktive në atë proces dhe ne do të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të mundemi sepse përfshin reforma për të përmirësuar sundimin e ligjit, lirinë e medias etj. Natyrisht, është e rëndësishme që njerëzit në rajon të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo vlen kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne po punojmë për të ofruar mbështetje për të dyja palët. Ka një marrëveshje që është rënë dakord dhe që duhet të zbatohet”, ka theksuar Scholz.

Më 27 shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia zyrtarisht pranuan planin franko-gjerman, që më pas mori emërtimin e Marrëveshjes Bazë apo Marrëveshja e Brukselit. Pas 27 shkurtit, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, u takuan sërish në Ohër më 18 mars, ku u morën vesh për dokumentin e dytë, të njohur si aneksi i zbatimit.

Në takimin e sotëm të Scholzit dhe Vuçiqit, tema qendrore ishte litiumi.

Serbia ka nënshkruar marrëveshje me BE-më për ta furnizuar me litium.

Litiumi është veçanërisht i nevojshëm për prodhimin e automjeteve elektrike dhe Gjermania, si prodhuesja më e madhe në Evropë, ka interes të madh në sigurimin e tij.

Miniera e Jadarit, pranë qytetit të Lloznicës në Serbinë perëndimore, mban disa nga rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë. Aty do të zhvillohet projekti i nënshkruar mes BE-së dhe Serbisë.

Nxjerrja e mineraleve nga miniera e Jadarit ishte planifikuar vite më herët, por ishte ndaluar për shkak të protestave të qytetarëve. Gjykata Kushtetuese në Serbi më pas dha leje që punimet mund të vazhdojnë.