Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tek ka folur për domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ka kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë të mos mbeten peng të së kaluarës. Në hapjen e Procesit të Berlinit që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e inicimit, kryeministri Albin Kurti foli për rreziqet që i kanosen rajonit si dhe kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në samit, liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje për një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë
Dinamikë të re në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura, ka kërkuar Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz në hapjen e edicionit të dhjetë të Procesit të Berlinit. Pas takimit me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kancelari Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyn në një konferencë për media folën për rëndësinë e zgjidhjes së problemeve.
Scholz ofroi angazhim personal në arritjen e këtij qëllimi, si rruga e vetme për të dyja vendet për integrim në Bashkimit Evropian.
“Na duhet një dinamikë e re. Do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Scholz në hapjen e samitit.
Kancelari gjerman përmendi si fakt pozitiv bllokadën që Kosova ua hoqi mallrave nga Serbia.
“Ne ishim dëshmitarë të disa zhvillimeve së fundi. Por është një numër i marrëveshjeve për të cilat janë pajtuar të dyja vendet, të cilat duhet të implementohen. Pra ajo që duhet bërë është diskutuar tashmë prej të gjitha palëve të përfshira. Nuk duhet ta lëmë me kaq, por bazuar nga ato që kemi diskutuar sot duhet të përfitojnë nga dinamika që është krijuar për progres të mëtutjeshëm”, u shpreh Schoz.
Por shtoi se, sa u përket shqetësimeve të rajonit në përgjithësi, nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe Serbinë.
“Por të gjitha shtetet që duan të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian duhet të sigurohen të mos ngecin në proces jo vetëm sa i përket zgjidhjes së çështjeve bilaterale. Çështjet bilaterale duhet të mbesin të tilla dhe procesi i anëtarësimit bazohet në meritokraci dhe duam të ofrojmë mbështetje”, ka thënë ai.
Von der Leyen: Procesi i Berlinit, promotor për tregun rajonal ekonomik
E Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se vendimet sikurse ai që morri Kosova për heqjen e bllokadës ndaj mallrave serbe janë të dobishme për normalizim në Ballkanin Perëndimor.
“Procesi i Berlinit është bërë promotor i tregun rajonal ekonomik, të përbërë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është qenësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë në mënyrë të lehtë, pasi i mundëson kompanive të Ballkanit Perëndimor që të tregtojnë dhe krijojnë vende pune. Pasi ky rajon është afër nesh është edhe afër tregut tonë të përbashkët. Unë mirëpres shumë marrëveshjen e javës së kaluar që është bërë në nivel të CEFTA-s. Sidomos që kufizimi i eksporteve nga Serbia në Kosovë do të pezullohet. Uroj për shfaqjen e këtij vullneti politik po ashtu edhe juve Olaf Scholz për shkathtësitë e ndërmjetësimit, pasi ky është një hap për normalizim”, ka theksuar ajo.
Krahas kësaj, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ajo tha se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të miratuara të vendeve të rajonit do të adaptohen këtë javë nga BE-ja.
Sipas saj, pagesat e para të pakos prej 6 miliardë eurove do të bëhen para përfundimit të vitit.
“Na nevojitet një urë ndërmjet tregut rajonal të përbashkët dhe tregut të vetëm evropian. Kjo urë është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në vlerë 6 miliardë euro investimesh. Plani i rritjes dhe Procesi i Berlinit janë të ndërlidhur. Me Planin e Rritjes e hapim dorën për sektorë të caktuar të tregut të vetëm. Që të përdoret kjo hapje, Ballkani Perëndimor duhet të ketë reforma në nivelin horizontal”, ka potencuar ajo.
Kurti: Të ruhemi nga ndikimi i huaj
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij nuk e përmendi dialogun derisa integrimin në BE e ndërlidhi me rreziqet që i kanosen rajonit.
“Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo ‘Procesi i Pekinit’, i cili çon drejt BRICS-it. Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka thënë Kurti në fjalimin të cilin e shpërndau në “Facebook”.
Ai ka shtuar se është koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për BE, si vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon këtë status.
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur për ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara nga Procesi i Berlinit, tek e quajti paradoksale që qytetarët e Kosovës që nga janari lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen, por nuk mund të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë pa viza.
“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka deklaruar Kurti.
Nënshkruhen marrëveshje të reja
Në samitin e Procesit të Berlinit, liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje për një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë. Kancelari Scholz tha se marrëveshjet e reja do t’ua lehtësojnë njerëzve jetën.
“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove. Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
Bosnja dhe Hercegovina duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Procesi i Berlinit është lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit është që gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i përafrojë me BE-në.
Nga gjashtë shtetet e rajonit vetëm Kosova nuk e ka zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, edhe pse për këtë pati aplikuar në dhjetor të 2022-ës.