Anëtari i Kryesisë së SBASHK-ut, Blerim Mehmeti, ka thënë se Qeveria po tenton t’i rregullojë çështjet me vendime arbitrare.
Derisa foli për vendimin e fundit të Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, Mehmeti ka thënë se ndasitë midis SBASHK-ut dhe Qeverisë po shkojnë vetëm duke u rritur.
“Për çështjen e orëve të humbura, e rregullon kontrata kolektive dhe ajo duhet ta dijë nëse do të arrihet një marrëveshje midis ministrisë dhe SBASHK-ut ndoshta edhe është e mundur, mirëpo përndryshe njëherë për njëherë një marrëveshje të tillë nuk ka”, ka thënë Mehmeti për KOHËN.
Për propozimin e ri të MASHT-it që mësimdhënësit të paguhen për orët që i zëvendësojnë, Mehmeti ka thënë që nuk është diskutuar në asnjë nivel të sindikatës dhe se pritet që të flasin për këtë çështje brenda dy ditëve të ardhshme.
Ministria ka dalë me propozim të ri por unë nuk guxoj asgjë të them pa e diskutuar me asnjë nivel të sindikatës. Në mënyrën se si i janë qasur këtij problemi nuk e pres një përfundim të mirë në dialog, ngase që nga fillimi qasja e partnerit tonë social ka qenë e gabuar. Asnjëherë nuk janë ulur për të biseduar seriozisht, tani ndarja vetëm po shkon duke u rritur. Ata po mendojnë me vendime arbitrare gjë që nuk është e mundur të rregullohen çështjet. Ato rregullohen vetëm me bashkëbisedim jo me sharje fyerje e lloj-lloj etiketimi. Qeveria jonë me qëndrime dhe vendime arbitrare nuk e di se çfarë dëshiron të menaxhojë. Besoj që na thërrasin në ditët e ardhme në takim (Sindikata), a ndodh nesër apo pasnesër nuk e di”, ka thënë ai.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar të martën vendimin për të ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-22.
Kalendari i ri është bërë për të zëvendësuar 22 ditët e mësimit që u humbën në shtator shkaku i grevës.