Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK) në konferencën për publikimin e doracakut për shpalljen e grevës së ligjshme, tha se kërkesat e tyre në protestën e së mërkurës janë legjitime dhe se moto e protestës do të jetë “Duam dialog social”.
Në protestën që planifikohet të mbahet nesër me rastin e 1 Majit, do marrin pjesë të gjitha sindikatat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Protesta e nesërme është organizmi i bërë më së miri, do jetë kryetari i Sindikatave bashkë me anëtarët e kryesisë nga ato shoqatave, po ashtu nga niveli komunal gjithashtu, shtatë universitetet do të jetë një numër i konsiderueshëm, kërkesat janë legjitime”, tha Jasharaj.
Gjithashtu, kryetari i SBASHK-ut tha se motoja e protestës do të jetë “Duam dialog social” dhe se kërkesë e tyre do të jetë “Qeveri realizo kërkesat tona, prandalo veprimet tjera sindikale”.
Po ashtu, Jasharaj njofton se kërkesë tjetër e protestës do të jetë rritja e koeficientit prej 30 për qind, dhe për kushte më të mira të punës për mësimdhënësit, pasi që kushtet që kanë tani ata, sipas Jasharajt, nuk i përkasin shekullit XXI.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të Programit për Angazhim Qytetar, të martën publikuan “Doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme”.
E për “Ekonomia Online”, Jasharaj tha se në protestën e nesërme do të jenë mbi 1000 persona.