Emisari gjerman

Sarrazin: Votimi në veri, mundësi e mirë për momentum të ri

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka takuar të enjten përfaqësues të Listës Serbe, në përpjekjen për t’i bindur ata që t’i përgjigjen votimit për largimin e kryetarëve aktualë në komunat veriore. Sipas tij, largimi i kryetarëve që nuk përfaqësojnë shumicë do të ishte mundësi ideale për momentum të ri. Tek ka folur për votimin në Këshillin e Evropës për anëtarësimin e Kosovës, tha se Gjermania ende nuk ka një qëndrim final

Paralajmërimi i Listës Serbe për bojkotimin e votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat në veri e ka sjellë në Kosovë emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. 

Ai të enjten ka qëndruar në Mitrovicën e Veriu ku takoi zyrtarë të Listës Serbe, të opozitës dhe shoqërisë civile atje. Ndërkaq në Prishtinë është pritur nga presidentja Vjosa Osmani. 

E në takimin me gazetarë ai la të nënkuptohet se Lista Serbe nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin. Sarrazin ka folur për ankesat që i janë shpalosur e të cilat lidhen me vendimet e institucioneve të Kosovës, sikurse ai për dinarin. 

“Mësuam për deklaratën e Listës Serbe se nuk do të inkurajojnë qytetarët të marrin pjesë për largimin e kryetarëve. Kjo ishte arsyeja pse erdha për të kuptuar dhe shprehur bindjen tonë se mospjesëmarrja në proces demokratik është sinjal i vështirë. Tjetra është që të shkohet përpara për largimin e kryetarëve. Por bojkoti nuk është zgjidhje”, ka thënë Sarrazin.

Në linjë me refuzimin e serbëve, Sarrazin ka theksuar nevojën që qeveria të bëjë zgjidhje për dinarin serb për, siç ka thënë, mos t’ua vështirësuar jetesën serbëve atje. Ai është shprehur se masat sanksionuese që BE-ja ia ka vënë Kosovës do të mund të hiqen, pasi qeveria t’u përgjigjet shqetësimeve të ndërkombëtarëve.  

“Shpresojmë se jemi në rrugë të mirë sa i përket shtensionimit në veri dhe hapat e ndërmarrë për gjetjen e një zgjidhjeje për komunat në veri, që popullohen me shumicë serbe. Duhet të merren seriozisht shqetësimet që i kanë serbët edhe pse mendoj se kjo është e lehtë të thuhet. Sa u përket kryetarëve të gjithë e dinë qëndrimin e BE-së dhe po tentojmë ta zgjidhim problemin i cili ekziston prej një viti”, është shprehur diplomati gjerman.  

Sarrazin është pyetur edhe për qëndrimin e Gjermanisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian. Tek ka folur për këtë proces, e ka përmendur Asociacionin. 

“Sa i përket raportit të Bakojanis, Gjermania nuk ka një qëndrim final ende. Së pari duhet ta shohim votimin në Asamblenë Parlamentare dhe nën dritën e atij vendimi, do ta konsiderojmë. Por natyrisht, siç e thashë, ka detyra që duhet përmbushur, njëra prej tyre është Asociacioni, që është përmendur si temë. Por, nuk kemi qëndrim gjerman ende”, ka deklaruar ai.  

Sa i përket fushatës serbe kundër anëtarësimit të Kosovës, Sarrazin tha se nuk është gjykatësi që e vlerëson nëse është shkelur marrëveshja, edhe pse nuk mendon se është qasje e duhur nga ana e Serbisë. 

Sarrazin e ka quajtur të padrejtë të fajësohet Brukseli dhe ndërmjetësi Miroslav Lajçak për moszbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit. 

“Gjermania dhe partnerët tanë kanë qenë të qartë se duam hapa të mëtejmë drejt themelimit të Asociacionit, zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Pra nuk është vetëm një palë që duhet të ndërmarrë veprime. Ajo që duam është solidariteti në veprime, secila palë të kryejë pjesën e saj. Palët mund ta ndjekin shembullin e Francës dhe Gjermanisë për arritjen e pajtimit. Edhe nëse nuk e besoni këtë metodë, të paktën provojeni”, ka deklaruar ai. 

Sarrazin është pyetur edhe për mundësinë e rikthimit të tensioneve në veri dhe kërcënimet e Serbisë me afrimin e ushtrisë përreth kufirit me Kosovën. 

“Javën e kaluar isha në Serbi dhe u takova edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ma konfirmoi se nuk e ka ndërmend të shkojë në atë drejtim, pra nuk kam indikacione se mund të përsëritet diçka”, ka theksuar Sarrazin. 

Në funksion të rritjes së sigurisë, Sarrazin përmendi se pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Gjermania i ka shtuar trupat ushtarake në kuadër të KFOR-it.