Arbëri

Sarrazin: Asociacioni s’ishte temë në Procesin e Berlinit, së paku jo këtë vit

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tek ka folur për dinamikat që çuan në arritjen e dakordimit që Qeveria e Kosovës ta heqë bllokadën ndaj mallrave serbe, ka thënë se në samitin e Procesit të Berlinit, të paktën këtë vit, nuk ishte temë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, ai e ka përsëritur qëndrimin e Gjermanisë lidhur me këtë çështje, tek përmendi edhe Këshillin e Evropës, ku Kosova e humbi mundësinë këtë vit për t’u anëtarësuar për shkak të Asociacionit

Thirrja e zyrtarëve të lartë evropianë për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe normalizim të marrëdhënieve, nuk u shoqërua me kërkesa specifike drejtuar palëve, siç ka ndodhur në proceset e kaluara. 

Mosprocedimi i Asociacionit në Kushtetuese, Kosovës i pati kushtuar me mos përfshirje në agjendë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 

Qeveria nuk pranoi ta bëjë këtë megjithëse i kushtoi me mosaderim në njërën prej organizatave kryesore evropiane. Por ekzekutivi u zmbraps përballë kërkesës gjermane për ta hequr ndalesën ndaj mallrave serbe, pasi u kërcënua edhe me përjashtim nga Procesi i Berlinit. 

Për mundësinë e ndërlidhjes së këtyre proceseve, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor ka komentuar gjatë një takimi online me gazetarë. 

I pyetur për dinamikën që mund ta aplikojë Gjermania në themelimin e Asociacionit, duke marrë si referencë ndikimin që pati në heqjen e bllokadave ndaj mallrave serbe, Sarrazin tha se këto tema nuk janë të lidhura.  

“Këto tema nuk janë të lidhura. Ju e dini qëndrimin e Gjermanisë në dialog, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por kjo nuk është temë në Procesin e Berlinit, së paku jo këtë vit”, ka thënë Sarrazin.  

Për ekspertin amerikan, Daniel Serwer është i domosdoshëm ndryshimi i qasjes së Perëndimit kur vjen puna te kërkesat për zbatimin e Asociacionit. 

“Duhen konsultime me kryeministrin e Kosovës për një plan të përbashkët për të vendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo duhet t’u japë fund frikësimeve nga Beogradi të serbëve që u bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe njohjes më të gjerë ndërkombëtare”, ka thënë Serwer. “Po ashtu, duhet miratimi i një qëndrimi zyrtar të SHBA-së për mbështetje të kushtëzuar për themelimin e një asociacioni joqeveritar të komunave me shumicë serbe. Vetë komunat duhet ta formojnë këtë Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtet duhet të përfshijnë përmbushjen e obligimeve nga ana e Beogradit, sipas marrëveshjes, në të cilën Prishtina është pajtuar me Asociacionin”. 

E emisari Sarrazin së fundi realizoi disa vizita në Kosovë me porositë se Gjermania do ta konsiderojë përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit nëse nuk e heq bllokadën ndaj mallrave serbe deri para takimit të 14 nëntorit. Pas më shumë se një viti, Qeveria ndryshoi masën ndaj mallrave serbe nga ndalesë totale në kontrolle të detajuara. 

Në maj të këtij viti, Kosova nuk u përfshi në agjendën e Këshillit të Evropës megjithëse pati një rekomandim nga Asambleja Parlamentare se janë plotësuar kushtet për anëtarësimin e Kosovës. Shtetet anëtare i vunë kusht Kosovës procedimin e draft-statutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. 

Për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca dhe Gjermania i patën kërkuar Kosovës të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi në fund të prillit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën e gjelbër për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. 

Kryeministri Albin Kurti pati refuzuar të bëjë, megjithëse ai bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ia përcollën një letër të zotimeve Këshillit të Evropës, se marrin përsipër t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit. 

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente, të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, pati deklaruar Kurti.
Veç heqjes së bllokadës ndaj mallrave serbe, Kosova u përgëzua pasi kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga janari i vitit të ardhshëm do të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës. 

Në fokus të Procesit të Berlinit ishin marrëveshjet që mundësojnë zbatimin e suksesshëm të Planit aktual të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM). 

Duke u bazuar në përparimin e bërë gjatë katër viteve të fundit, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan një Plan të Ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal për periudhën 2025-2028, i cili përcakton drejtimin për përmirësimin e tregtisë, mobilitetit dhe investimeve në të gjithë rajonin dhe integrimin me Tregun e Vetëm të BE-së. Plani i ri katërvjeçar është i ndarë në 6 shtylla, nga të cilat 3 do të zbatohen nga CEFTA: lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe masat horizontale të tregtisë. Ky Plan synon të shfrytëzojë potencialin e rajonit duke nxitur tregtinë, investimet dhe duke hapur derën për integrimin e përshpejtuar në Tregun e Vetëm të BE-së.