Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është ndaluar nga policia e Gjykatës Speciale të premten në mbrëmje.
Ai është dërguar në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë.
Një ekip i KOHËS është duke qëndruar te zyrat e EULEX-it. Aty është parë edhe deputeti Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut. Përgjigje deri në publikimin e artikullit nuk ka ofruar Gjykata Speciale. Te zyrat e EULEX-it është edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
Për raportimet për ndalimin e Lushtakut ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.
“Siç po raportohet në media, Specialja e paska ndaluar në këto orë të vona z. Sami Lushtaku. Përveç spektakleve të vazhdueshme që po bëhen nga kjo pseudogjykatë, të ndalohet njeriu në rrugë pa kurrfarë paralajmërimi, kjo është edhe një poshtërsi e tyre e radhës”, ka shkruar ai në Facebook.
Specialja pati aksion edhe të enjten. Me urdhër të Gjykatës Speciale një ditë më parë u bastis shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi. Artan Qerkini, avokat i Selimit, ka konfirmuar se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar. Avokati Qerkini u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit. Ai paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës. Qerkini tha se nuk mund të komentojë se a janë gjetur prova, apo është konfiskuar ndonjë dokument nga Prokuroria.
Gjatë vitit që shkoi janë kryer bastisje me urdhër të Gjykatës Speciale në shtëpitë e disa bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, që është në mesin e të akuzuarve për krime lufte. Po ashtu, Specialja ka arrestuar ish-deputetin Haxhi Shala e ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën akuzën për “pengim të administrimit të drejtësisë”.