Arbëri

Sallahu: S’e ndërrojmë emrin për kryeparlamentar, kjo do të vazhdojë sa ta shohim të arsyeshme

Blerim Sallahu

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, derisa ka thënë se kjo situatë në Kuvend “do të vazhdojë aq sa e sheh të arsyeshme VV-ja”.

Ai ka deklaruar se deputetët e kanë obligim që të kontribuojnë në konstituimin e Kuvendit, derisa shtoi se propozimi i Haxhiut “është përmbushje e nenit 67”. Sallahu ka shtuar se presin t’i marrin votat për kalimin e Haxhiut.

“VV-ja e ka propozuar kandidaten për kryeparlamentare, e kështu e kemi përmbushur atë nen dhe po presim votat t’i marrim nga opozita, siç shihet. Është detyrë e deputetëve, thuhet se duhet të konstituohet Kuvendi pasi si parti e kemi përmbushur nenin 67. Nevojitet angazhimi i deputetëve për votim pasi është detyrë e tyre. S’kemi të bëjmë me numra, kemi të bëjmë me konstituim”, ka shtuar ai të enjten në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Sallahut, Haxhiu duhet të jetë kryeparlamentare pasi tha se i ka mbi 125.000 vota në zgjedhjet e fundit, derisa tha se qasja e saj nuk është arrogante.

“Nuk mund të heqim ngërçin kur VV-ja është në shtratin e vet kushtetues. Ne kemi dërguar një propozim të tillë, mbetet deputetët ta votojnë ose jo...Kjo do të vazhdojë derisa partia Vetëvendosje e sheh të arsyeshme, sepse ne s’po bëjmë asgjë tjetër, pos po përmbushim atë nen”, ka thënë Sallahu kur u pyet se sa do të zgjasë kjo bllokadë në Kuvend.

Sallahu tha se edhe të premten do ta propozojnë Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke shtuar se “pret që opozita të reflektojë”.

“Të gjithë deputetët duhet të marrin pejsë në votim. E përsëris sërish, opozita po shkel Kushtetutën sepse aktgjykimi po thotë se është detyrë e deputetëve që Kuvendi të konstituohet”, ka thënë zëvendësministri në detyrë.