Arbëri

Sallahu: PZAP-ja vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë

Blerim Sallahu e Alim Rama

Foto: Driton Paçarada

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se me refuzimin e ankesës së Vetëvendosjes për përsëritje të votimit me postë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë.

“PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se  Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit  dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politikë dhe parapolitikë”, ka shkruar Sallahu.

Sipas tij PZAP-ja, ka dështuar të merret me thelbin e ankesës së LVV-së, “duke i ikur kështu përgjegjësisë ligjore në trajtim të fakteve dhe provave të paraqitura”. 

“PZAP nuk ka bërë hetime administrative të asnjë kutie të votimit edhe pse janë paraqitur me qindra mostra te provave se manipulimet e votave me postë në mënyrë industriale kanë ndodhur”, ka shkruar Sallahu. 

PZAP-ja ia ka refuzuar ankesën Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ka kërkuar të anulohen rezultatet e votimit me postë për Lidhjen Demokratike (LDK) dhe kandidatët e saj me gjithsej 18933 vota, që këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare, si dhe ka kërkuar të urdhërohet KQZ-ja që ta përsërisë votimin me postë në tërësi.

Vendimin e PZAP-së përmes një reagimi në Facebook e ka mirëpritur LDK-ja, duke theksuar se përpjekjet e LVV-së “për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor” ishin të pabazuara dhe “shpërfaqin mosgatishmëri për të pranuar vullnetin e mërgatës.