Liridon Salihu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) është shprehur skeptik se Qeveria e Kosovës do të mund të bëjë reformat e premtuara në sistemin e drejtësisë gjatë këtij mandati, pas vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Të mërkurën, Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si një nga reformat e premtuara nga Lëvizja Vetëvendosje para ardhjes në pushtet. Një tjetër reformë e Qeverisë që u rrëzua nga Kushtetuesja ishte edhe Ligji për Këshillin Prokurorial (KPK).
Salihu ka thënë se Qeveria nuk e ka ende gati as bazën ligjore për këto reforma.
“Përderisa jemi në vitin e katërt është problem që mund të adresohen këto gjetje të Kushtetueses, përfshirë Byronë dhe KPK-në. Siç e keni marrë vesh, opozita do ta dërgojë përsëri në Kushtetuese Ligjin për KPK-në pasi pretendojnë se nuk janë adresuar gjetjet e Gjykatës. Për këtë mandat është e vështirë që do të kemi reformë në sistemin e drejtësisë e aq më pak kur bazën ligjore për këto reforma ende nuk e kanë gati”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Sa i përket Ligjit për Byronë, Salihu ka thënë se sponsorizuesja e ligjit, Ministria e Drejtësisë, nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e akterëve të jashtëm. Salihu e sheh shqetësuese “konfiskimin civil” të pasurisë, që përfshinë zyrtarët publikë dhe palët e treta. Sipas tij, nuk ka pasur analizë të mirëfilltë nga Qeveria se si mund të verifikohet pasuria e qytetarëve.
Salihu ka porositur Qeverinë që t’i marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian, Komisionit të Venecias, Gjykatës Kushtetuese e shoqërisë civile “ashtu që të evitohen këto ligje që nuk kalojnë filtrat e Kushtetueses”.
“Për të gjitha ligjet të cilat janë marrë parasysh rekomandimet, kanë kaluar filtrat e Kushtetueses”, ka thënë Salihu.