Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore vendosi që deputetit Behgjet Pacolli t’i kthehen mjetet që kishte dhënë për blerjen e 40% të aksioneve në hotelin “Grand”, në vitin 2006 kur u privatizua. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me vendimin e arbitrazhit, Republikës i kthehet pronësia mbi Grandin. Ekonomistët konsiderojnë që hoteli duhet të ritenderohet
Qeveria e Kosovës detyrohet që 6 milionë euro t’ia japë deputetit e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli.
Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore ka marrë vendim para pak ditësh që Pacollit t’i kthehen mjetet që i pati dhënë për blerjen e 40 për qind të aksioneve në hotelin Grand, në vitin 2006.
Ndërsa në verën e vitit 2012, Agjencia e Privatizimit e rimori pronësinë mbi hotelin.
Pacolli, në maj të vitit 2017, në arbitrazh kërkoi që t’i kthehen mjetet që i kishte dhënë për blerjen e aksioneve të Grandit.
Për vendimin e arbitrazhit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se vërteton që Hoteli mbetet në pronësi publike.
“Republika e Kosovës, sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë”, ka shkruar Haxhiu të shtunën.
E asaj, të dielën i ka reaguar Pacolli, duke thënë se nuk e ka kërkuar pronësinë mbi hotelin, por vetëm kthimin e parave.
“Ministrja e di shumë mirë që askush në këtë proces nuk ka kërkuar objektin nga ju në asnjë moment. Këtë e lexoni edhe në postimin e mëparshëm. Që nga fillimi i procesit, ‘Mabco’ ka kërkuar gjithmonë që t’i kthehen fondet e saj, të cilat janë përvetësuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe asgjë tjetër”, ka shkruar Pacolli të dielën.
Ministren Haxhiu e kanë kritikuar edhe oponentë nga opozita, duke thënë se ajo nuk tregoi se shteti e humbi këtë rast, por u lavdërua se pronësia e hotelit mbeti te shteti.
E në koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran, Qeveria Kurti e ka paraparë hotelin Grand që të jetë pjesë e këtij institucioni.
Mirëpo, profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se zgjidhje fitimprurëse për shtetin do të ishte ritenderimi i hotelit Grand, e jo menaxhimi i tij nga shteti.
“Edhe pa pagesë të ishte dhënë ky aset, do të gjeneronte ato të ardhura që ne do të mund ta shesim në këtë periudhë kohore. Mendoj që çdo ditë e humbur, pa privatizuar është humbje për vetë shtetin”, ka thënë Qerimi.
Syla ka theksuar se Fondi Sovran nuk mund ta menaxhojë efektivisht hotelin.
“Edhe ashtu ne kemi shumë burokraci në menaxhimin e kompanive publike. Nëse ne e krijojmë edhe një hallkë në atë burokraci në vetëm po e shtojmë dhe komplikojmë vendimmarrjen. Mendoj që Fondi Sovran është mirë që nuk është funksionalizuar dhe kjo ide duhet të shuhet komplet”, ka shtuar ai.
Hoteli Grand u ndërtua në vitin 1978. Deri në luftë ishte pronë-shoqërore.
Pas luftës, menaxhimi i tij i kaloi Agjencisë së Kosovës për Mirëbesim deri në vitin 2006, kur u privatizua nga Unio-Commerce. Por asnjëherë nuk u rivitalizua për shkak të kontestit rreth pronësisë.