Analisti politik, Arbnor Sadiku, ka deklaruar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të luftojë për “jetë a vdekje” që të zë vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Kjo pasi sipas tij, LDK-ja është parti shumë demokratike dhe mekanizmat brenda saj kërkojnë rezultate nga kandidati për kryeministër.
“LDK-ja e ka për jetë a vdekje, sidomos kryetari Abdixhiku, të punojë për vendin e dytë. LDK-ja është demokratike e mekanizmat aty funksionojnë mirë. Gara e brendshme aty është dhe fillojnë të kundërshtojnë pasi kërkojnë rezultat”, ka thënë Sadiku të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas tij, presidentja Vjosa Osmani mund ta shqyrtojë kthimin në LDK pasi ta përfundojë mandatin si presidente. Ai ka shtuar se aktualisht qëndrimet e Osmanit lidhen më së tepërmi me ish-partinë e saj.
“Osmanin e ka penalizuar ajo që të mos jetë e barabartë në kuptimin e fuqisë, pasi në politika ditore është e cekët, e konkurrenca politike dhe çarja rreth politikës së jashtme ka bërë që Osmani të jetë kundërshtuese ndaj Kurtit, e këtë e ka bërë për protagonizëm politik. Ne i kuptojmë raportet politike dhe duket se Osmani është më afërt me LDK-në sesa me Kurtin”, ka shtuar Osmani.
Sipas Sadikut, kur LDK-ja ia kishte bërë kuorumin Osmanit për t’u zgjedhur presidente, e kishte kalkuluar këtë për të mos humbur vota. Për LDK-në, Sadiku ka thënë se nëse del e dyta në zgjedhje, do të ketë rritje në popull.
Ai ka shtuar se kryeministri Albin Kurti është lider popullor në Kosovë, por jo në bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Sadikut, aleanca me Perëndimin është jetike dhe “s’mund të luhet bixhoz pasi ende s’kemi ushtri dhe kemi probleme në aspektin e sigurisë”.
Analisti politik foli edhe për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Mendoj se bashkësia ndërkombëtare mund të jetë përcaktuese kur bëhen koalicionet. Nëse Kurti nuk është i pari (në rezultatin zgjedhor v.j.), atëherë bashkësia ndërkombëtare do të sigurojë opozitën se çka të pranojë koalicion me Kurtin”, ka shtuar ai.