Arbëri

Sadiku thotë se heqja e masave lidhet me lëvizje për formimin e Asociacionit

Arbnor Sadiku

Analisti politik Arbnor Sadiku ka thënë se heqja e masave ndaj Kosovës do të jetë e ngadalshme dhe e kufizuar me lëvizjet e Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Sadiku ka thënë të enjten se ka qenë e ditur që problematika e heqjes së masave nuk qëndron te forma dhe teknika, por përmbajtja.

“Për të gjithë njohësit e çështjeve të integrimeve, s’kemi pasur pritje që masat të hiqen menjëherë, për faktin se ndonëse kushtet formale Kosova i ka pranuar dhe implementuar rreth inkoorporimit të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës, në kuptimin de facto ajo s’ka ndodhur dhe Unioni Evropian për heqjen e këtyre masave është i kushtëzuar nga pesë vendet që s’e kanë njohur Kosovën dhe veçanërisht Serbia sepse e kanë ndërlidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deri të mos ketë lëvizje nga Kosova rreth krijimit të Asociacionit, edhe vendimi për masa do të jetë i ngadalshëm dhe i kufizuar me të”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se rekomandimi që Kosovës t’i hiqen masat gradualisht është sinjal që Kosova duhet të bëjë përparim në fuqizimin e serbëve në veri dhe që përmes marrëveshjeve politike të krijojë mundësi që serbët në veri të jenë pjesëmarrës në institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka gabuar me idenë që të zgjidhë çështjen e bojkotit të serbëve në veri përmes teknikaliteteve.

Ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare se po e lë Kosovën në faj kujdestar.

Si zgjidhje, Sadiku ka thënë se Kosova duhet t’i shohë punët e veta e të mos merret me Serbinë. “Nëse ne kemi thënë në Bruksel se pranojmë të krijohet Asociacioni, atëherë ai do të krijohet”, ka thënë ai.

“Edhe ambasadori Hill e tha se palët janë të obliguara të njohin dokumentet e njëra-tjetrës, por jo njohjen e ndërsjellë në fazën aktuale. S’duhet të kërkojmë diçka që s’është e shkruar dhe që më shumë u tingëllon ëndrrave të mira sesa që mund të bëhen realitet duke njohur këtë Serbi përballë dhe një president që s’dallon asgjë nga politika e Millosheviqit, madje po e vazhdon vetëm me mjete tjera”, ka thënë tutje Sadiku.

Sipas tij, takimi i ftuar për javën e ardhshme në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë vetëm kurtuazie për të dhenë sinjale të vazhdimit të dialogut. Këtë e ka ndërlidhur me faktin se ndërmjetësve sivjet u përfundon mandati.

Ai ka shtuar se pret që qeveria aktuale ta shfrytëzojë situatën në veri për çështje elektorale.

Ka kaluar më shumë se një vit që Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

BE-ja pati vlerësuar që Kosova nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.

Masat ndaj Kosovës tani pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht dhe kjo pritet të bëhet e ditur “në ditët në vijim” i kanë thënë KOHËS burimet diplomatike në BE.