Qytetarët serbë kanë protestuar në veri të Mitrovicës të mërkurën me thirrjet që të mos hapet Ura e Ibrit për qarkullimin e automjeteve. Serbët janë shpërndarë pasi protesta ka përfunduar e qetë e pa ndonjë incident.
Sipas analistit, Arbnor Sadiku, qytetarët serbë “po e shfrytëzojnë situatën politike që e ka krijuar me vetëdije Qeveria e Kosovës”. Ai ka thënë se vendimi për urën duhet të merret me shumë kujdes dhe koordinim të ngushtë me ndërkombëtarët, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Po i vëmë SHBA-në dhe BE-në para një situate të palakmueshme pasi ata për herë të parë po thonë publikisht se nuk e mbështesim Kosovën që ta hapë urën. Arsyeja pse ndodh është se duhet ta dimë se Kosova nuk e ka pasur të rrumbullakësuar shtetësinë e saj”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Sadiku ka dhënë një version se si mund të shkojë situata në rast se hapet ura.
“Instrumentet që janë kriminale që kontrollohen nga qeveria e Serbisë do instrumentalizohen që të krijojnë vandalizma. Të njëjtën kohë disa pjesë ta faktorit ndërkombëtar që kanë interesa që ende të mos hapet ura do t’i shtyjnë këto politika të serbëve atje që të përshkallëzohet situata atje dhe të mos e kryejë punën e saj Qeveria e Kosovës, por të krijohet edhe një lloj destabilizimi në Kosovë ku praktikisht mund të vjen në tavolinë ndarja e veriut nga serbët dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në krye me Francën, pasi Franca brenda BE-së është aleati kryesor i Serbisë”, ka thënë ai.
Sadiku ka shtuar më tej se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme me politikën e jashtme.
“Shpeshherë po i bëjmë disa gabime në politikën e jashtme që janë të reflektueshme në politikën e brendshme dhesi të tilla mund ta dëmtojnë shtetin e Kosovës. Qeveritë duhet të kenë të kujdesshme me qëndrimin e SHBA-së sepse pa të jo vetëm që nuk mund të funksionojë Kosova e Ballkani Perëndimor, por vetë BE-ja”.