Arbëri

Sadiku për regresin e lirisë së mediave: Qeveria ka bërë veprime taktike të gabuara

Analisti Arbnor Sadiku e ka lënë fajtore Qeverinë për regresin e lirisë së mediave në Kosovë, duke thënë se ka bërë veprime taktike të gabuara.

Kosova ka pësuar rënie për 19 vende në indeksin e Lirisë së Shtypit të publikuar nga “Reporterët pa Kufij” të premten. Kjo ka nxitur kritika të shumta ndaj ekzekutivit.

Sadiku ka deklaruar se Qeveria nuk e ka parë median si bashkëpunuese, por si konkurrente

“Raporti do të thotë në një gjuhë tjetër që i mohohet e drejta e qytetarëve për raportim të drejtë, ku përfshihet politika ditore në raportim. Rënia kaq drastike është faturë bukur e rëndë për Kosovën. Kjo rënie është faj i Qeverisë pasi ka bërë disa veprime taktike të gabuara sepse s’ka bashkëpunuar me median, por i ka parë si konkurrente. Bashkëpunimi me median i shërben Qeverisë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Incidenti me televizionin “Klan Kosova” e tendenca që televizionin publik ta mbushin me njerëz të afërt, sipas Sadikut, janë disa nga të gjeturat e  “Reporterëve pa Kufij” për Qeverinë e Kosovës karshi mediave.

Analisti e ka cilësuar alarmante faktin që ministrat nuk shkojnë nëpër shumicën e televizioneve. Ka thënë se ndoshta kjo ka ardhur si pasojë e mospërvojës.

“Ndoshta kjo ka ardhur edhe për shkak të papërvojës, pasi shumica e udhëheqësve aktualë kanë qenë tërë kohën në opozitë. Raporti ka ndikuar negativisht në aspektin e bashkëpunimit, pluralizmit politik. Nuk mund të sillesh me arrogancë nëse je në pushtet karshi një media që e ka politikën redaktorialë kundër. Qeveria duhet të jetë më tolerante”, ka shtuar ai.

Sadiku ka theksuar se nëse e fiton mandatin e dytë, “Kurti të jetë më bashkëpunues dhe më prezent në media”.

LEXO EDHE: