Arbëri

Sadiku për ndërtimin e shtëpive në veri: E tmerrshme, disa personave nuk iu janë pranuar kërkesat

Skender Sadiku

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka thënë se gjendja me ndërtimin e shtëpive në veri të vendit për shqiptarët, është katastrofike.

Ai ka thënë se disa personave u është refuzuar kërkesa për ndërtim edhe pse prona ka qenë e një familjari të tyre.

“Është gjendje katastrofike, Sehad Halili e ka babën dhe vëllain e vrarë. Ka aplikuar në Mitrovicë dhe në Komunë të Leposaviqit, nuk iu ka dhënë shtëpia të ndërtohet. Më e tmerrshme është se nuk iu është dhënë fare arsyetim, është ardhë lista e përfituesve dhe nuk është në listë. Në dy vende ka aplikuar”, ka potencuar ai në “Interaktiv”.

Sadiku ka shtuar se askush nuk po kërkon të kthehet në prona të huaja, por se pronat kanë qenë të shqiptarëve që tani i duan prapë. Është shprehur se prej tetë shtëpive që janë të ndërtuara “nuk ka kanalizim dhe ujësjellës”.

“Po flas për Komunën e Mitrovicës së Veriut, po përmendet kthimi i shqiptarëve... po i jepet argument komunitetit serb që të thotë se po bëhet kthimi i shqiptarëve. Asnjë person në komunën veriore të Mitrovicës nuk është duke kërkuar të kthehet në pronë të huaj apo në pronë të uzurpuar, por është në shtëpi të babës, gjyshit, gjyshes, familjarëve. Lidhja familjare vetëm në lagjen e Vitakut 70 shtëpi sot janë të djegura”.

Sadiku e ka quajtur absurditet ekzistencën e komunës paralele të Skenderajt në Mitrovicën e Veriut, e cila të mërkurën u mbyll nga Policia e Kosovës. Ai ka theksuar se serbët e Skenderajt i shfrytëzojnë dokumentet e Republikës së Kosovës për të kryer shërbimet që kërkojnë në institucione.  

“Serbët duhet të akomodohen, jo të integrohen por të akomodohen në Kosovë. Pensionerët janë akomoduar sepse mos tjetër, e marrin atë pension. Të gjithë serbët që kanë moshën e pensionit pajisen me dokumente të Kosovës, serbët që janë të lidhur me Skenderaj i marrin atje, por e kanë edhe një zyre në Runik”, është shprehur ai.