Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se partia politike që nuk konsiderohet partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka çka ia mësynë krijimit të Qeverisë së ardhshme në Kosovë.
Sadiku i bëri këto komente duke përmendur deklaratat e të përzgjedhurit të presidentit amerikan Donald Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell. Grenelli të enjten në një shkrim në “X” ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se i ka sjellë raportet Kosovë-SHBA në pikën më të ulët.
“Ajo që po shihet, sipas deklaratave të Grenellit, një qeveri nuk mund të vijë që është e shkujdesur në raport me Shtetet e Bashkuara. Ata vetëm i kanë lëshuar cicërimet në rrjetet sociale dhe po tregojnë se kush mund të jetë partner i SHBA-së. Një parti që nuk është partner i tyre, nuk ka çka janë mësynë krijimit të Qeverisë”, ka thënë Sadiku në “60 Minuta” të KTV-së të premten.
Sipas Sadikut, Kurti në të kaluarën është mirëkuptuar më shumë seç duhet nga administrata Biden e tash me Trumpin do të jetë më ndryshe.
“Në të kaluarën ka qenë më ndryshe, Kurti me gjithë anashkalimet që ia ka bërë administratës Biden, është mirëkuptuar deri diku pasi shumica e atyre që kanë punuar në Departamentin e Shtetit kanë pasur memorie me Kosovën dhe e kanë kuptuar Kosovën si vend të ri që ka nevojë të piqet. Është mirëkuptuar më shumë seç duhet. Por Trumpi ka politikë më konsistente dhe do të jetë disi më ndryshe... një parti politike që mendon se nuk mund të ketë partneritet me SHBA-në, nuk duhet t’ia mësyjë krijimit të Qeverisë”, ka shtuar ai.
Analisti Sadiku ka thënë se nëse njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrihet gjatë administratës Trump, atëherë “do të kalojë kohë e gjatë që kjo mundësi të vijë përsëri”.
“Korrigjimi i kufijve nuk besoj që mund të kthehet, pasi kanë ndryshuar akterët dhe rrethanat”, ka deklaruar Sadiku.
Për emisarin e ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, Sadiku ka thënë se do të vlerësohet pasi të shihet se si do të qaset problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.