Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se Lista Serbe po bën thirrje për bojkot të procesit të votimit për shkarkim të kryetarëve në veri, për shkak se i frikësohet realitetit dhe frikësohet se nuk mund t’i arrij 50 për qind plus 1 votë, aq sa duhen për shkarkim.
Sadiku të hënën në një intervistë në emisionin “Interakltiv” në KTV, ka theksuar Lista Serbe e ka arritur lehtë 20 për qindëshin kur i ka mbledhur nënshkrimet për organizim të procesit të votimit për shkarkim, por se e di nuk do të mund të arrijë numrin e votave që duhen për shkarkim të kryetarëve.
“Lista Serbe është duke iu frikësuar realitetit, është duke iu frikësuar edhe numrave, 20 për qindëshi ka qenë i lehtë, por 50 për qindëshi plus 1 është shumë më i madh në terren, është rrezik që Komuna e Mitrovicës së Veriut komplet banorët, të gjitha komunitetet nuk e përbëjnë këtë numër, në terren e kanë parë që nuk munden”, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij është e vështirë që numri i votave të nevojshme të arrihet. “Absurditetin që e ka shumica e Kosovës është edhe në komunat në veri, jo vetëm te ne po në shumicën e qyteteve më shumë ka në listë të votuesve sesa banorë rezidentë”, është shprehur Sadiku.
Ai ka thënë se beson që thirrjet e Listës Serbe për bojkot do të kenë ndikim te serbët në veri.
“Indikacionet prej terrenit nuk janë të mira, edhe opozita serbe, zërat serbë janë duke e përcjellë bojkotin, po thërrasin për bojkot, pa e komplikuar këtë në po harrojmë që Lista Serbe i ka 8-9 përfaqësues në Parlamentin e Kosovës dhe 6 komuna udhëhiqen nga Lista Serbe, këtu duhet të gjendet një balanc, atë forcën po e shfaqin në katër komuna sepse janë shumicë, por mos të harrojmë se po të njëjtit janë edhe në 6 komuna”, ka thekuar Sadiku.
Ai ka akuzuar Qeverinë për mungesë të projekteve në katër komunat në veri. Sipas tij nuk mjafton vetëm ndërtimi shtëpive për rastet sociale.
“Fokusi duhet të jetë, kemi pas shans historik edhe ende jemi në atë vijë, të ndihmohet Erdn Atioq, të ndihmohet Izmiri, të ndihmohet Lulzim Hetemi, të ndihmohen kryetarët e Komunave që t’i kryejnë projektet, edhe të lënë diçka të mirë, edhe të shohin që politika mundet edhe pa Listën Serbe”, ka theksuar Sadiku.
Ai ka thënë se qytetarët e të gjitha komuniteteve janë duke u larguar nga veriu.
Sipas Sadikut në Mitrovicë të Veriut nuk janë as 10 mijë banorë rezidentë, por se në listë të votuesve janë rreth 12 mijë. Ai ka thënë se listat e votuesve nuk, si në pjesën tjetër në Kosovë nuk janë pastruar.
Sadiku ka folur edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë dhe thirrjet e Listës Serbe që serbët të mos regjistrohen.
Sipas tij institucionet duhet të flasin direkt me qytetarë për t’i bindur që të bëhen pjesë e këtij procesi.