Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skender Sadiku, ka deklaruar se është shenjë e keqe që asnjëra parti shqiptare s’ka përfshirë kandidatë për deputetë nga komunat veriore.
Ai është shprehur të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se kjo është shenjë e keqe.
“E dhimbshme dhe shenjë e keqe është se të gjitha partitë ia kanë huqur sa i përket katër komunave veriore. S'kanë arritur të kenë një kandidat nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin-Potoku, Zveçani. Kjo është shenjë e keqe. As një parti, flas prej komunitetit shqiptar pasi komuniteti serb i ka disa”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ka thënë se është tjetër çështje që partitë bëjnë fushatë me veriun.
Shala: Rreshteri Bunjaku nuk është dëshmor i LVV-së, por i Kosovës

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar kur në tubimin e së dielës në Mitrovicë, ka përdorur emrin e heroit Afrim Bunjaku
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se Bunjaku është hero i kombit, e jo i LVV-së apo i partive të tjera.
“Patëm brohoritje e keqpërdorim të dëshmorit të kombit dhe veriu është e vetmja kartë në të cilën mund ta bazojë qeveria aktuale gjithë kohën e saj katërvjeçare...Rreshteri Afrim Bunjaku është dëshmor i kombit, e s'është dëshmor i Lëvizjes Vetëvendosje e i asnjë subjekti tjetër politik, por dëshmor i vendit”, ka thënë Shala.
Sipas tij, Bunjaku ka rënë hero duke mbrojtur Republikën e Kosovës dhe uniformën e saj kundër grupeve terroriste të nxitura nga Beogradi zyrtar.
“Keqpërdorimi i çfarëdo emri e devalvon në kontekstin kohor peshën dhe veprimet e tyre”, ka shtuar ai.
Boshnjaku: Policët janë maltretuar në veri, Policia është keqpërdorur
Urall Boshnjaku, gazetar në mediumin “Mitropol”, ka thënë se policët e Kosovës janë maltretuar në veri duke punuar me orare të gjata e duke udhëtuar nga qytete të tjera të Kosovës.
Ai ka thënë se është një mospërputhje kur në tubime politike thuhet se veriu është i sigurt e policët në veri detyrohen të mbajnë një orar 12-orësh.

“Qeveria 4 vjet e ka pasur armën më të fortë veriun. Është keqpërdorur disi Policia e Kosovës. Policët e Kosovës janë maltretuar me detyrën në veri...Kemi policë që detyrohen të udhëtojnë nga qytete anekëndë Kosovës që të vijnë e të mbajnë një orar 12-orësh për shkak se situata e sigurisë vlerësohet të jetë në rrezik. Nëse në terren vlerësojmë se situata e sigurisë është në rrezik, e në bina ku dalin partitë politike thonë se veriu është i sigurt, atëherë kemi një mospërputhje. Pra, nëse në terren detyrohesh që policët t’i mbashë për 12 orë dhe t’i sjellësh nga qytete tjera për të operuar në Mitrovicë të Veriut, atëherë diku kemi huqur. Nëse thuash se veriu është i sigurt atëherë duhet të tregosh si është. Duke i matretuar policët, duke i bërë jonfuksionalë? Është absolutisht matretim për fat të keq”, tha Boshnjaku në “Zgjedhjet në KOHË” në KTV.
Ai ka thënë se një polic s’mund të jetë efikas nëse punon 12 orë, pasi udhëton 2-3 orë nga një qytet tjetër.
“S’kemi të bëjmë me robotë”, tha Boshnjaku.