Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se në dialogun Kosovë-Serbi të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Ai ka mbajtur një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Deklaratat nga konferenca për media dhe detaje nga vizita e tij, do të mund t’i ndiqni këtu
Kurti - Ruttes: Serbia ndërhyri në procesin e zgjedhjeve në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë shefit të NATO-s, Mark Rutte, se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, me ndihmën e Rusisë.
Në një postim në X pas takimit me Rutten në Prishtinë, të martën, Kurti ka thënë se ndërhyrja përbën një kërcënim kritik për demokracinë.
“Kënaqësi të mirëprisja Mark Rutten të kthehet në Prishtinë, vizita e tij e parë në rolin e tij aktual në krye të Aleancës. Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale”, ka shkruar Kurti në X.
Rutte gjatë ditës është takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani.
Ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, kryeministri Kurti i shpalosi të dielën në një konferencë për shtyp me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Rutte për dialogun Kosovë-Serbi: Palët të bëjnë kompromise të duhura
Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Kosova e Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në dobitë afatgjate”.
Ai ka thënë se e kupton që kjo kërkon vendime të vështira, por sipas tij, duhet të shihet “pamje më e gjerë”.
“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të ofruar të ardhme stabile dhe që të mbrohen të gjitha komunitetet. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe më pas siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.
Rutte: Përkushtimi i NATO-s për stabilitet mbetet i qëndrueshëm
Rutte është zotuar po ashtu se përkushtimi i NATO-s për stabilitet e paqe në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm.
“Trupat tanë punojnë pa pushim për të siguruar ambient me rend dhe siguri në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s”, ka thënë ai. “Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo zhvillimi të sigurisë. Dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në mandatin e vet për sigurinë e të gjithëve. Këtë e bëjmë në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe rolet tona përkatëse”, ka thënë ai.
Rutte ka shtuar tutje se të gjitha palë duhet të zgjedhin diplomacinë para dhunës.
Rutte po ashtu ka thënë se NATO-ja është në kontakt të afërt edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë... vetëm bashkërisht mund të kemi paqe në rajon. Duhet të ketë zgjidhje politike, e që kërkon lidership nga të gjithë politikanët. Duhet të punojmë së bashku”, ka thënë Rutte.
Ai ka thënë tutje se falë presidentit amerikan, Donald Trump, është bërë “kapërcim” në kuptimin e nisjes së negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Rutte po ashtu ka thënë se mandati i NATO-s është që të sigurohet se Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë efektive në rolin e saj humanitar.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar këtu në Kosovë. Kështu është mandati saktësisht i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare, kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore. Ky është mandati. Në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, ka thënë Rutte.
Ndërkaq, Osmani në përgjigjen e saj ka thënë se FSK-së i është avancuar roli.
“Në NATO vendimet merren me unanimitet dhe akoma janë katër shtete anëtare që s’e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës dhe kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve në mes të NATO-s dhe FSK-së në një çështje jashtëzakonisht komplekse. Megjithatë kjo s’nënkupton që FSK-ja s’e ka mandatin e plotë, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e miratuara në Republikën e Kosovës. Si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Përveç kësaj ne kemi gjetur mënyra të tjera për ta avancuar rolin e FSK-së dhe kontributin e saj për paqe dhe siguri në vende të tjera të globit, nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh, të cilat i kemi me shtetet anëtare veç e veç. Siç e dini, FSK-ja në bashkëpunim me SHBA-në, shërben në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës. Njëkohësisht me Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të shërbejë nëpër role paqeruajtëse. Dhe tani jemi në proces të negocimit të marrëveshjeve të tjera dypalëshe nëpërmjet të cilave FSK-ja do të vazhdojë të kontribuojë nëpërmjet mandatit të plotë që parashihet në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë fillimisht ajo. “Siç e dini, para shumë vitesh ka qenë edhe një shkëmbim letrash, në atë kohë nëpërmjet kryeministrit të Kosovës dhe ish-sekretarit të përgjithshëm që ka të bëjë me rritjen e nivelit operacional të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe FSK-së dhe ne do të punojmë së bashku për të parë se si është mënyra më e mirë që kjo të funksionojë në praktikë, duke mos harruar që ushtarët e Kosovës janë trajnuar pikërisht nga shtetet anëtare të NATO-s dhe nga vetë NATO-ja”.
Pas konferencës me Osmanin, Rutte ka nisur takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO.
Në konferencën për media të mbajtur pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të martën në Prishtinë, Osmani ka thënë se interesimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancë është domosdoshmëri strategjike për paqe në rajon dhe kontinent.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO nuk është thjeshtë një interes shtetëror i yni, por edhe një domosdoshmëri strategjike për paqen në rajon dhe gjithë kontinentin evropian. Ne duam që të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n duke zhvilluar çdo ditë e më shumë ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese me forcat partnere në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s për 2 për qind të shpenzimeve në mbrojtje.
“Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municionit dhe dronëve. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohemi... Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën por gjithë Evropën. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për sigurinë tonë. Ne u bashkohemi thirrjeve tuaja të përsëritur për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it. Ta fuqizojmë prezencën edhe të trupave edhe të mjeteve. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuar si anëtare e përgjegjshme”, ka thënë ajo.
Nis takimi Osmani-Rutte
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Pas takimit, Zyra e Presidencës ka njoftuar se do të mbajnë një konferencë për media, e më pas Rutte do të pritet nga kryeministri Albin Kurti.
Shefi i NATO-s erdhi me një delegacion, pas vizitës që pati në Bosnjë-Hercegovinë.