Arbëri

Rusinovci: Marramendës importi i produkteve që mund të prodhohen në Kosovë

Imer Rusinovci

Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka deklaruar se është i papranueshëm importi i produkteve të cilat mund të prodhohen në Kosovë.

Sipas tij, gjatë periudhës 25-vjeçare, vendi është karakterizuar me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, andaj për pasojë importi është në rritje. 

Ai ka shtuar se misri është ndër produktet kryesore që do të mund të ndikonte në uljen e importit, por vitin e fundit nuk ka pasur prodhim të tij fare.

“Duhet të ketë indikatorë, duhet të ketë shifra matëse në terren. Ne duhet ta ndërrojmë këtë çështje njëherë e përgjithmonë me politikat e duhura bujqësore, pikërisht në infrastrukturë, në konsolidimin e sistemit qoftë primar, sekondar, terciar të ujitjeve, qoftë riparimin e shume kanaleve të Ibër-Lepecit, sistemit të Radoniqit, etj, sepse është parë se çfarë është bërë sivjet me prodhimtari të misrit, ne nuk kemi pasur prodhimtari të misrit. Misri është çelësi i zhvillimit ekonomik, nuk ke qumësht, nuk ke mish, nuk ke vezë, nuk ke nënprodukte të mishit, qumështit, etj. Kjo është arsyeja pse e kemi importin marramendës”, ka thënë ai. 

Ai tutje ka konsideruar se gjendja e bujqësisë që është aktualisht në terren duhet të sanohet dhe të përmirësohet. 

“Nëse ne flasim në kuptim të demagogut dhe themi se mund të bie importi i bujqësisë në shifrën 0 është gënjeshtër. Këtu nuk bëhet orizi, nuk bëhen agrumet, d.m.th., duhet blerë, por të kemi import marramendës të prodhimeve strategjike që përkojnë me konditat tona agroekologjike, për ne, për institucionin dhe për fermerët është e pajustifikueshme. Këtë gjendje të bujqësisë që e kemi në terren duhet ta sanojmë, ta përmirësojmë”, ka deklaruar ai. 


Selimi: Subvencionet gjithnjë janë dhënë për të blerë vota

Eksperti i sektorit të bujqësisë, Fatmir Selimi, ka thënë se subvencionet në bujqësi janë dhënë gjithmonë me qëllimin për të blerë vota. 

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se programi i cili zhvillohet nga Ministria e Bujqësisë është program social dhe jo zhvillimor siç sipas tij, do të duhej të ishte. 

“I kemi dy lloje të ndihmave, janë subvencionet dhe grantet. Subvencionet në shumicën e rasteve, jo vetëm nga kjo qeveri por nga të gjitha qeveritë janë përdorur për të blerë vota, nuk janë përdorur për qëllime zhvillimore. Iu kanë ndihmuar bujqve në mënyra të ndryshme, që kanë bërë punë shumë të mirë, por vlerësimi dhe përcaktimi i subvencioneve të ndryshme në shuma, ku është rritur shuma pa asnjë analizë ekonomike, pse është rritur shuma dhe sa do të ketë ndikim në zhvillim, është bërë në bazë politike dhe jo ekonomike”, ka theksuar Selimi. 

Sipas tij kjo në disa raste ka ndikuar negativisht. 

“Kjo ka krijuar dembelë, të cilët e kanë tokën dhe e marrin subvencionin e token ia kanë dhënë dikujt me qira dhe nuk e merr subvencionin ai që e ka marrë me qira dhe prodhon, por e merr pronari i tokës”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se Ministria nuk ka arritur që t’i kontrollojë dhe t’i identifikojë këto raste. 


Tahiri: Prej vitit 2021, bujqësia ka nisur të lëvizë për së mbari

Tahir Tahiri nga Sindikata e bujqve të Kosovës ka thënë se po të analizohet periudha nga 2021-ta deri më tani, mund të shihet se bujqësia ka nisur të lëvizë për së mbari. 

Të mërkurën në “Zgjedhjet në KOHË”, Tahiri ka thënë se rritja e subvencioneve, eksporti dhe ndalja e korrupsionit janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë lëvizje. 

Ai ka shtuar se shpreson që nëse ka programe të qeverive lidhur me këtë fushë, të zbatohen në të ardhmen në mënyrë që të mos ecet prapa. 

“Nuk do të ishim të drejtë nëse këtë periudhën nga 2021-ta deri më sot nuk e dallojmë që ka filluar diçka për së mbari. Ne si sindikatë këto i prekim në terren. Rritja e subvencioneve, eksporti, pastaj ndalja e korrupsionit, faktorë që bujqësinë gjatë këtyre 4 vjetëve e kanë lëvizur përpara. Pra, ka një lëvizje dhe jo është shpresëdhënëse nëse vazhdohet, nëse ka programe të qeverive që shpresojmë se do t’i zbatojnë në të ardhmen, është një bazë e vogël fillestare për të vazhduar për të mirë. Nuk kthehemi 20 vjet më parë. Nëse ky hap i parë vazhdon siç ka filluar, ne si sindikatë kemi shpresë dhe jemi optimistë se do të ketë kthesa në bujqësi, përndryshe kemi qenë shumë keq”, ka thënë ai.