Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se sulmi i ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, ka qenë kërcënim i gjallë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të rajonit të Mitrovicës.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, ajo ka thënë se kjo ngjarje ka riaktualizuar traumat dhe frikën te këto gra.
“Edhe vetë ataku në Banjskë ka qenë një kërcënim i gjallë për to dhe shumica e grave që janë nga rajoni i Mitrovicës dhe përreth, e kanë përjetuar dhe thoshin se tani do të vinë dhe të futen në shtëpi sërish. Frika ekziston dhe për ata ajo shprehja e tyre pa drejtësi nuk ka paqe në mendjen tonë, ekziston gjithmonë te to. Kjo është proces që zgjat me gjenerata, shkencërisht thuhet se deri në pesë gjenerata është vështirë të kalohet”, ka thënë ai.
Ajo ka shtuar se edhe zhvillimet tjera si lufta në Ukrainë, kanë bërë që të ngjallen traumat te këto gra.
Rushiti tutje ka treguar pse Vasfije Krasniqi akuzoi Qeverinë për padrejtësi
“Shqetësimi i Vasfijes ndërlidhet me disa nga gratë dhe burrat që fatkeqësisht janë refuzuar nga Komisioni qeveritar për njohjen e statusit të verifikimit të viktimave të dhunës seksuale. Ka raste që më pastaj jemi munduar të shkojmë me procese gjyqësore dhe kanë adresuar ankesat e tyre në gjykata administrative, disa prej tyre kanë marrë edhe përgjigje pozitive”, është shprehur ajo.