Deputeti i Parlamentit Suedez, Magnus Jacobsson, ka nominuar për çmimin “Nobel” për paqe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe kryetaren e kësaj qendre Feride Rushiti. Sipas Rushitit, nominimi është vlerësim për kontributin 25-vjeçar në kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila së fundmi bashkë me organizatën janë nominuar për çmimin “Nobel” për paqe, ka thënë se rruga deri te çmimi është e gjatë e sfiduese dhe vlerësoi se edhe vetëm nominimi është i rëndësishëm për Kosovën.
Në një konferencë për media, Rushiti ka deklaruar se ky nominim do të fuqizojë edhe zërin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
“Mendoj se është një vlerësim jo vetëm ne si organizatë për punën dhe kontributin tonë 25-vjeçar në kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, por edhe dhunës së bazuar në gjini, parandalimin e torturës. Por është një vlerësim për Kosovën që i bëhet me këtë nominim”, ka thënë ajo.
Rushiti ka thënë se ka pritshmëri që shteti serb të lobojë kundër marrjes së çmimit, për shkak se Qendra trajton rastet e viktimave të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.
“Me Serbinë ne natyrisht kemi pasur edhe shqetësime të tjera. Më kujtohet edhe kur libri ‘Unë dua të dëgjohem’ është tentuar t’i jepet presidentit serb dhe nuk e ka pranuar, pastaj as publikimi i këtij libri nuk është realizuar për shkak të natyrës edhe tregimeve që i përmban ky libër në raport me krimet e luftës. Edhe është e natyrshme reagimi i tyre në këtë fushë, për faktin se ata ende nuk i njohin dhe nuk ka zhvillime në këtë pjesë”, ka deklaruar Rushiti.
Nominimin për “Nobel” për paqe e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson. Ai arsyetoi nismën që ka ndërmarrë.
“Çmimi ‘Nobel’ për paqe synon të vlerësojë individët, puna e të cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, ka thënë ai.
Gjithsej janë dy nobelistë shqiptarë deri tash. Nëna Terezë ka fituar çmimin “Nobel” për paqe e Ferid Murad atë për shëndetësi.