Arbëri

Rukiqi: “Trepça” pranë kolapsit, Qeveria s’ka vullnet t’i trajtojë problemet

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka sjell pranë kolapsit ndërmarrjen “Trepça”, e sipas tij, nëse vazhdohet kjo lloj qeverisje do të kolapsojnë edhe ndërmarrje të tjera.

Ai është shprehur se duhet punuar “që kjo qeverisje të mos kthehet më”, duke deklaruar se Qeveria s’ka dëshmuar vullnet apo ekspertizë për trajtimin e problemeve ekonomike.

“Këta (Qeveria) kanë menduar se me subvencione mbyllet kjo temë dhe nuk diskutohet. Kjo ka kulmuar në fazën kur një kompani s’mund t’i paguajë shpenzimet bazë. Këtë kolaps e ka sjell kjo lloj qeverisje. Nëse vazhdon kjo qeverisje, edhe ndërmarrjet e tjera dhe segmente të tjera të ekonomisë do të gjenden para një kolapsi. Kjo qeverisje ka dëshmuar se nuk ka një vullnet apo ekspertizë për t’i trajtuar problemet ekonomike që i ka vendi”, ka thënë Rukiqi në "60 Minuta" të KTV-së.

Zyrtari i partisë opozitare ka shtuar se Qeveria thotë se është ndaluar “gjakderdhja financiare”, por u shpreh se “veçse është rritur nëpërmjet tenderëve sekretë”. Sipas tij, Qeveria ka proklamuar se KEK-u ka operuar me fitim, por kjo sipas Rukiqit “është për shkak të shitjes së energjisë elektrike me çmim më të lartë”.

“Kjo qeverisje moti ka abstentuar me qeverisjen në vend. Në 30 ditët e fundit asnjë aktivitet në dobi të mirëqenies së qytetarëve, asnjë në përmirësimin e imazhit, të forcimit të pozicionit ndërkombëtar. Nëse mendon Kurti të shfaqet në hapje të lojërave olimpike, ndikon në gjendjen e vendit, është gabim. Kalon ditë të tëra në seminare si të jetë student i shkencave sociale, apo të tjera. Edhe për një student sot s’ka kohë të mjaftueshme të kalojë ditë në seminare sa kalon kryeministri i vendit”, ka thënë ai.

Rukiqi ka potencuar se gjendja ekonomike në Kosovë ka degraduar dhe është vështirë të rregullohet nëpërmjet kësaj qeverisjeje.