Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se me ardhjen në pushtet të partisë të cilës i takon, do të rritet borxhi publik në limit.
Sipas tij, është e nevojshme të shfrytëzohet hapësira ligjore për shfrytëzim të borxhit publik, sepse financimet duhet të kryhen me të dhe jo me buxhet.
“Borxhi publik. Për t’u krenuar që e ke ulur borxhin publik është amatorizëm, është ofendim inteligjence, është gjithçka keq në raport me një politikë të mbarë. Nëse e ul prej 120 për qind dhe e bie në standarde të ligjit, po mund të krenohesh. Por, ne e kemi 40 për qind të lejuar. 40 për qind e GTP-së mund të lejohet si borxh publik. Ne jemi larg asaj, ne do ta rrisim. Si Lidhje Demokratike ne do ta rrisim borxhin publik në limitet e ligjit, 40 për qind aq sa na lejon ligji. Nëse e shohim se ka nevojë ekonomia për më shumë, e ndryshojmë edhe ligjin”, ka thënë ai.
Rukiqi ka shtuar se borxhi publik duhet të përdoret për t’u shpërndarë barra në gjeneratat e reja, në mënyrë që të kontribuohet më vonë nga ta.
“Është hapësirë ligjore që duhet të shfrytëzohet, ne ashtu-kështu e kemi më të ulët sesa vendet e tjera, sepse vendet tjera shkojnë në 60 apo 80 për qind. Është e rëndësishme të dihet pse duhet financuar me borxh publik dhe jo me buxhet. Ideja e borxhit publik është për ta shpërndarë barrën në gjeneratat e ardhshme. Ne krijojmë një të mirë sot për ju, të cilën ju e gëzoni gjatë gjithë jetës dhe që duhet kontribuar, pra kjo është logjika e borxhit publik. Nuk ka asgjë të keqe”, është shprehur ai.
Aliu: Shifrat për rritjen ekonomike dhe papunësinë, nuk i besoj
Ekonomisti Florin Aliu ka thënë se nuk u beson shifrave për rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë në Kosovë.
Sipas tij, të dhënat janë paradoksale.
“Pas katër vjetëve, ne duam ta dimë cilët parametrat janë përmirësuar, të matshëm me këtë qeveri. Parametrat objektivë janë rritja ekonomike, ulja e papunësisë dhe inflacioni. Këta tre parametra janë bazë që nisemi e më pas futemi në detaje. Pas shokut të Covidit, Qeveria e promovoi shumë rritjen e madhe ekonomike, mirëpo ajo ka ndodh në të gjitha vendet e rajonit. Këto shifra për rritjen ekonomike dhe papunësinë, nuk i besoj. Kur ti je në rënie ekonomike, nuk mund të gjenerosh punësim. Gjatë kohës së pandemisë, kemi ulje të papunësisë ndërsa jemi në rënie ekonomike. Qysh është e mundur të ka ra aktiviteti ekonomik, bizneset, ti ke ulje të papunësisë. Kjo është vetëm formalizim i ekonomisë”, ka thënë ai në “Konfront”.
Aliu u shpreh se nëse bazohemi në uljen e papunësisë nga viti 2020 deri më 2023, Kosova do duhej të kishte 30 për qind rritje ekonomike.
“Në vendet e rajonit, papunësia nuk e rrit rritjen ekonomike”, ka shtuar ai.
Hyseni: Ndarja e mjeteve për fëmijë e pensionistë nuk është politikë e mirë
Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka vlerësuar se ndarja prej 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët nga ana e Qeverisë në fund të vitit, nuk është politikë e mirë.
Sipas tij, kjo nuk është as politikë e majtë, por vetëm improvizim.
“Është e saktë që këto veprime, sidomos në kohë fushate, janë për të ndikuar disponimin në zgjedhje dhe votimin. Përtej kësaj, duhet shtrohet pyetja se a është politikë e mirë? Problemi është që as nuk është politikë e mirë, unë insistoj se nuk është as politikë e majtë, është veç improvizim. Një politikë e majtë do të duhej t’i fuqizonte shtresat shoqërore. Po na mbetet të presim vetëm në fund të vitit nëse do të jetë gjeneroz kryeministri. Kjo është problematike, sepse njerëzit duhet më herët t’i parashikojnë shpenzimet. Kur diçka e fiton me ligj, ajo është e patjetërsueshme. Ai thjeshtë ka bërë transfer, kjo është problem”, ka thënë ai.
Hyseni ka shtuar se nevojitet fuqizimi i grupeve shoqërore, duke filluar nga ndërmjetësuesi midis qeverisë dhe popullit – sindikatat.
Një qeveri e majtë do të duhej përmes kësaj t’i fuqizojë grupet shoqërore, që i bie sindikatat. Përmes këtyre veprimeve ndërmjetësimet po zhduken, ka transfer nuk ndodh asgjë e sanksionuar me ligj. Kjo krijon për bindjen time një formë pastorale të pushtetit.
Rukiqi: Kjo Qeveri është në panik, po tenton blerjen e votave me para të buxhetit
Berat Rukiqi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Qeveria po tenton blerjen e votave me para të buxhetit të shtetit.
Ai ka thënë se partia në pushtet, Vetëvendosje, shfrytëzon mjete nga pushteti kur nuk i del një punë ashtu si ka shpresuar.
“Çdo vendim që merret në kohë fushate, para fushate, pas datës së shpalljes së zgjedhjeve është një lloj i korrupsionit politik. Dikush mund të blejë vota në mënyrë të tjera, e kjo Qeveri po e shfrytëzon mënyrën më të keqe, buxhetin e shtetit për të tentuar blerjen e votës... Sa herë që kjo qeveri është në panik. Sa herë e merr ndonjë sondazh që nuk i del mirë, i dështon ndonjë tubim elektoral, këta gjithë këtë situatë tentojnë disi ta adresojnë dhe nuk e bëjnë me program, por dalin me skema të tilla dhe nuk i përdorin mjetet e partisë, i përdorin mjetet e buxhetit të shtetit. Thonë këto janë mjete tona, nuk janë tuajat, janë të taksapaguesve”, ka theksuar Rukiqi në “Konfront”.