Akademiku Bardh Rugova thotë se shkrimtarët vendorë për fëmijë nuk i ndjekin trendet botërore. Ai shton se në botë ka letërsi shumë më të mirë të cilët fëmijët e përqafojnë me shumë dëshirë.
“Isha në një juri sivjet dhe nuk dhamë çmimin për letërsi për fëmijë sepse nuk kishte prurje mjaftueshëm dhe interesante për fëmijë. Kjo nënkupton se shkrimtarët që duan të merren me letërsi për fëmijë nuk i ndjekin trendet që ekzistojnë gjithandej”, tha Rugova në “Konfront”.
Rugova thekson se nuk po punohet sa duhet dhe nuk po investohet ku duhet sa i përket librave për fëmijët.
“Kjo tregon se kemi një ngecje në këtë rrafsh. Nuk jemi duke punuar, jemi duke dhënë para jo ku duhet, nuk jemi duke investuar ku duhet. Shumë më mirë do të ishte që të jetë një përzgjedhje me të cilën ne paguajmë përkthimet, subvencionojmë punën e njerëzve për këto, sesa ta marrim një listë të gatshme të dikujt dhe t’i paguajmë ato. Do duhej të ishte një punë më sistematike dhe më e mirë në këtë rrafsh. Nëse ne nuk ua bëjmë të lezetshëm leximin, do ta krijojmë refuzimin”, tha ai.
Berhami: Digjitalizimi i librave? Kam frikë se do e pësojë sikurse industria e muzikës
Drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi” në Tiranë, Loreta Berhami, derisa ka folur për digjitalizimin e librave, ka thënë se ekziston frika se do ta pësojë sikurse industria e muzikës.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, në debatin mbi librin, Berhami ka thënë se frika më e madhe është te pirateria.
“Frika më e madhe që kam është pirateria. Në çastin që nëpër botë arritëm te ‘Spotify’ ku nuk ka më sens të shkarkojmë muzikë pirate sepse ato 10-15 euro në muaj shumica i kanë për të dëgjuar muzikë pa kufij, e dimë se në çfarë kaloi industria e muzikës. Për mua nëse libri i futet kësaj rruge që do të ishte ideale, ka kosto fillestare shumë të mëdha. Kemi frikë faktikisht”, ka thënë ajo.
Sopi: Në Shqipëri në të kaluarën ka pasur traditë të leximit por ajo ka qenë e dhunshme
Agim Sopi, panelist i emisionit “Konfront” në KTV, ka thënë se te shqiptarët nuk ka pasur traditë të leximit.
Sipas tij, në të kaluarën në Shqipëri megjithatë ka pasur traditë të tillë por se ajo ka qenë e dhunshme. Sopi ka thënë se shqiptarët në Shqipëri e kanë shfrytëzuar librin si dritare për botën e jashtme por që edhe ai ka qenë i dirigjuar.
“Në Shqipëri ka pasur traditë të leximit më shumë sepse tradita ka qenë e dhunshme sepse shteti ka qenë mbyllur, nuk ka pasur mundësi tjetër komunikimi. Detyrimisht ata pjesën e lirë të kohën përpos punëve të detyrueshme kanë mundur ta gjejnë për ta lexuar. Ajo ka qenë një dritare karshi botës, botë që ka qenë shumë e tkurrur dhe e dirigjuar”, ka thënë Sopi duke shtuar se edhe kjo praktikë nuk është e mirë pasi “gjithçka që ngulitet dhunshëm përnjëherë shuhet, shuhet shumë shpejt”.
Kush po e rivalizon librin sipas profesorit Rugova
Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se libri si burim i nxënies së dijës tani ka rivalë seriozë.
Sipas profesori universitar, në kohët e sotme ka shumë mediume të tjera të cilat po e rivalizojnë librin, e që shumë prej tyre sjellin vetëm dije sipërfaqësore.
“Ky medium ka zgjatur me shekuj të tërë, ndërsa tani ka rivalë seriozë. Disa prej tyre janë rivalë të cilët sjellin sipërfaqësi, dije sipërfaqësore lehtë për t’u marrë por që mbesin shkurt, por është e këtillë. Fëmijët e mi dhe shokët e tyre kanë dije shumë të mirë të historisë, jo prej librave por prej videolojërave. Ka një rivalitet si medium”, ka thënë ai.