Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se ekzekutivi u bë edhe një herë gjentelmenë për t’u dhënë mundësi shanseve të humbura nga pushtetet e kaluara, duke komentuar propozimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila të enjten në letrën drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, zotohet që do ta çojë një draftstatut të Asociacionit të punuar nga vetë Qeveria në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të këtij muaji.
Në një status në Facebook, Rrustemi shkruan se “dashamirët e Zajednicës” po bëjnë kinse të befasuar, por siç thotë deputeti i VV-së, letra e Gërvallës është ajo çfarë ka thënë kryeministri Albin Kurti në marrëveshjet e Brukselit e Ohrit dhe në konferenca të tjera.
“Dashamirët e Zajednicës gjithnjë duan ta luajnë të befasuarin sepse ata që gati 4 vjet e kanë themelu atë nja 20-30 herë. Sot, sërish na dalin të befasuar. Të dashur qytetarë, lëvizja e sotme e Qeverisë së Kosovës është ajo çfarë kryeministri Kurti e ka thënë që nga marrëveshja e Brukselit, te ajo e Ohrit, e në shumë konferenca, e i cili propozim refuzohej vazhdimisht. U bëmë edhe një herë gjentelmenë që t’i japim edhe një mundësi shanseve të humbura nga ta. Kaq”, ka shkruar Rrustemi, duke aluduar në opozitën.
Gërvalla të enjten ia ka drejtuar letrën Rousopoulosit, në përpjekjen e fundit që Kosova të përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave më 17 maj për t'u votuar anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Por ka pak shpresa që mund të arrihet një gjë e tillë. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se “hap konkret” konsiderohet vetëm dërgimi i draftstatutit në Kushtetuese.
LEXO EDHE: