Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka mohuar pretendimet e opozitës për tenderët njëburimorë. Ai ka renditur me shifra kontratat e nënshkruara gjatë qeverisjeve të kaluara.
“Në arsyetimin e thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme propozuesi ka theksuar se si në nivel sasior ashtu edhe të shumës financiare të shpenzuar shfrytëzimi i aktiviteti të prokurimit është bërë si asnjëherë më parë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Ne edhe në seancën e kaluar edhe sot po ua dëshmojmë se në cilat vite dhe në cilat Qeveri është përdorur më së shumti kjo procedurë tenderuese. Nga viti 2008 -2014 qeveria e udhëhequr nga PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore. 2015-2017 qeveria e udhëhequr nga LDK 158 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar e kontratave njëburimore. Nga viti 2018-2019 qeveri e udhëhequr nga AAK, ka qenë 120 milionë euro shuma e shpenzuar për kontrata njëburimore”, ka thënë ai në Kuvend.
Rrustemi ka shtuar se në kontratat që Qeveria aktuale ka lidhur nuk ka asgjë të dyshimtë. Sipas tij, opozita po do ta fitojë besimin e qytetarëve me komisione hetimore të tilla si për çështjen e tenderëve njëburimorë.
“Në arsyetimin tuaj i jeni referuar nenit 35 të Ligjit për prokurim publik se gjoja këto kontrata mund të nënshkruhen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme në tërmete ose fatkeqësi tjera natyrore. Në çfarë situatash të jashtëzakonshme apo çfarë tërmetesh apo fatkeqësish natyrore ka pasur në vitet kur ju keni qeverisur. E them me bindje të plotë që në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë e që duhet hetuar. Opozita në mungesë të kauzave dhe në përballje me besimin e humbur nga qytetarët po mundohet që me komisione të tilla hetimore të hedhë baltë mbi çdo gjë dhe mbi gjithkënd”, ka theksuar Rrustemi.