Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, politikës i ka hyrë në vitin 2004, për të punuar për vite të tëra krah Hashim Thaçit sa e drejtonte këtë parti. Më vonë, ka mbajtur edhe pozita në kabinetin e tij qeveritar e postin e nënkryetarit të PDK-së
Ka qenë viti 2004 kur Memli Krasniqi, i njohur asokohe edhe në fushën e muzikës, iu fut politikës duke iu bashkuar PDK-së. Që atëherë, tash kryetari i ri i kësaj partie, punonte krah Hashim Thaçit në Qendrën për Studime Politike në kuadër të kabinetit të tij. Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Krasniqi ishte emëruar udhëheqës i Departamentit të Rinisë, ndërsa në tetor të vitit 2006 është zgjedhur kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës – subjektit rinor të PDK-së që përfaqëson anëtarët e saj ndërmjet moshave 16 – 30 vjeçare. Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së.
Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi është zgjedhur nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë. Me këto aktivitete e në garën e tij të parë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, Krasniqi u zgjodh deputet në vitin 2007. Një vit më vonë, ai përsëri punoi në afërsi të Thaçit.Gjatë kohës sa Thaçi drejtonte Qeverinë, Krasniqi u emërua këshilltar politik i tij dhe zëdhënës i ekzekutivit. Pas kësaj, në të gjitha zgjedhjet parlamentare Memli Krasniqi ka siguruar ulëse në Kuvend.
Mirëpo, më 2011, ai e la pozitën e deputetit për të ushtruar atë të ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit. Mandatin tjetër, Krasniqi për tre vjet ka udhëhequr edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural deri më 2017. Që atëherë, ai nuk ka mbajtur më pozita në kabinet qeveritar, por që ka ushtruar detyrën e shefit të grupit parlamentar të PDK-së. Deri në zgjedhjen e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ishte nënkryetar i saj.
Si zyrtar i institucioneve të Kosovës, edhe politikan 41-vjeçar ka pasur për detyrë të bëjë deklarimin e pasurisë. Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, në deklarimin e fundit të pasurisë, ka deklaruar mbi 300 mijë euro në formë kriptovalutash. Përveç kriptopasurisë, Krasniqi ka deklaruar një apartament në emrin e tij dhe një shtëpi me 2.86 ar truall, nën pronësi të përbashkët. Vlera e apartamentit, sipas tij, është rreth 100 mijë euro, ndërsa shtëpia me truall, 155 mijë. I pari i PDK-së, në deklarimin e pasurisë e ka futur edhe bibliotekën personale në vlerë prej 12 mijë e 500 eurosh. Ai ka deklaruar pagë vjetore 30 mijë euro si deputet në Kuvend e se para të gatshme ka 7600 euro.