Arbëri

Rrugët njëkahore shkaktojnë kolona dhe bllokim të komunikacionit

Edhe pse shenja e vendosur në fillim të rrugës “Gazmend Zjami” e edhe “Rexhep Mala” në lagjen “Aktash” iu tregon ngasësve që rruga është njëkahore, veturat po e thyejnë rregullin e trafikut.

Shumë ngasës nuk po e respektojnë sinjalistikën, me ç ‘rast po krijojnë edhe bllokim të trafikut, në shumë rrugë në kryeqytet.

E kolonat e gjata po i pengojnë banorët, sipas tyre nervozizmi i ngasësve dhe boritë e veturave nuk po i lënë të qetë.

Zyrtari për komunikacionin Halil Halili, thotë se ishte pikërisht kërkesë e banorëve që ato rrugët të bëheshin njëkahore.

“Ali Pashë Tepelena, një pjesë e rrugës Gazmend Zajmi, Lirie Dashi dhe disa rrugë të tjera janë bërë në kuadër të planit të mobilitetit, ku pas vlerësimit të gjendjes atje dhe kërkesës së banorëve për ta përmirësuar atë gjendje me trafikun, po ashtu edhe lirimin e trotuareve dhe hapësirat për parkingje, është bërë një analizë dhe kemi ardhur në përfundim që ato rrugë të bëhen njëkahore”.

Tutje Halili tha se është duke u shqyrtuar mundësia që edhe rrugë të tjera në kryeqytet të bëhen njëkahore.

“Ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë dhe po bëjmë analiza që edhe disa rrugë të tjera në kryeqytet të bëhen njëkahore. Sa i përket njoftimit të banorëve ne kemi bërë një stimulim të trafikut në atë zonë për t’i njoftuar edhe banorët, sepse ne kemi bërë një test për katër ditë dhe më pas së bashku me taks forcën dhe ekipin e mobilitetit kemi vendosur që të veprojmë kësisoj”.

Së fundmi edhe rruga “Bekim Fehmiu” është bërë njëkahore e që kolona të gjata mund të shihen edhe në këtë rrugë, sidomos në kohën kur qytetarët përfundojnë orarin e punës dhe kthehen në shtëpi.