Arbëri

Rruga Prishtinë-Podujevë, zëvendësministri Durmishi intervistohet si i dyshuar

Hysen Durmishi

Foto: Driton Paçarada

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale të mërkurën, në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë.

Vetë Durmishi pas intervistimit ka bërë të ditur se ishte ftuar si i dyshuar. Ai ka thënë se aktualisht është fazë fillestare dhe se pyetjet e prokurorit “ishin sqaruese”.

Durmishi ka thënë se është i pastër në këtë proces.

“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë-Podujevë. Kryesisht, kjo është fazë fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë-Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në njëfarë mënyre sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, ka thënë ai për gazetarët.

Durmishi ka thënë se bëhet fjalë për kallëzim penal nga një operator ekonomik që nuk ka fituar tenderin.

Ai ka thënë se për rastin ka vendim të Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe “dokumente që janë publike e që dëshmojnë pastërtinë tonë në gjithë këtë proces”.

Durmishi ka thënë se pavarësisht hetimeve, punimet në rrugë do të vazhdojnë “e do të përfundojnë gjatë këtij viti”.