Arbëri

Rruga e pashtruar që po ia vështirëson jetën familjes Rusinovci

Edhe përkundër vështirësive, obligohet që çdo ditë t’i kalojë rreth 8 kilometra të shkuarje dhe ardhje në këtë rrugë.

Gjysmën e përshkon me traktorin e tij, si mundësi të vetme transporti por kur ndodh që ai të prishet, rrugën e vazhdon në këmbë siç bëri të mërkurën.

Milaim Rusinovci nga fshati Nishevc thotë se tash e sa vjet rruga e pashtruar, ia ka vështirësuar jetën atij dhe Rejanës dhe Melisës, dy vajzave të vogla që duhet t’i bartë në shkollë çdo herë.

“Kjo është rrugë që as syri i njeriut nuk e sheh, madje as në televizor. Problemi më i madh qëndron te fëmijët, 8 kilometra shkuarje dhe ardhje është tmerr i kohës së vet. Kombibusi nuk po vjen me i marr fëmijët. Tri rrugë të tjera që unë i di janë të shtruara në zhavorr ose asfalt, kurse shikoni rrugën që unë kaloj çdo ditë. Këtë pajisje që e kemi fituar nga komuna, nuk po mundem t’i dërgojë në shtëpi. Ne kemi nevoja për gjëra të ndryshme, për ushqim e gjëra, me dorë dimrit i bartim gjërat sepse nuk mundemi as me traktor me kalua, për shkak të trashësisë së borës”.

Ende më shumë do të vështirësohet lëvizja sidomos kur të nisin reshjet e shiut e borës, thotë ai.

“Shumë e vështirë, shi ose borë duhet të kalojmë këtej, as ushqimet për bagëti nuk po mundemi me ua sigurua. Së paku dy herë në ditë unë e përshkojë këtë rrugë. Dimrit nuk vjen askush me pastrua rrugën., unë e bëjë një vijë vetëm për këmbësorë dhe kalojmë në atë rrugë, përndryshe kjo është e pakalueshme verës e lëre më dimrit”.

Rusinovci, i zhgënjyer, thotë që ia ka paraqitur deri më tani gjashtë kërkesa komunës dhe Drejtorisë për Investime Kapitale dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje.