Arbëri

Rrmoku: 29 nga 38 komunat kanë pësuar rënie të popullsisë në krahasim me vitin 2011

Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ka thënë se 29 nga 38 komunat në Kosovë kanë pësuar rënie të popullsisë në krahasim me vitin 2011, kur është bërë regjistrimi i fundit.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Rrmoku ka thënë se rritje të numrit të popullsisë kanë shënuar komuna e Prishtinës, ajo e Fushë-Kosovës, e Graçanicës dhe e Obiliqit. 

Sipas të dhënave të këtij instituti, rënie është shënuar në komunën e Podujevës, Lipjanit, Drenasit, Mitrovicës, Prizrenit, Pejës e Gjakovës. 

“29 nga 38 komunat kanë pësuar rënie të popullsisë në krahasim me vitin 2011, kur është bërë edhe regjistrimi i fundit i tyre. Në analizë kemi trajtuar disa çështje që lidhen me funksionimin dhe financimin e komunave. Prishtina ka shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të popullsisë në krahasim me vitin 2011, prej 28 mijë e 257 banorë, një ngritje të tillë e ka pasur edhe Fushë-Kosova me 29 mijë e 251 banorë, Graçanica me 8 mijë e 696 banorë, Obiliqi me 1,245 banorë. Podujeva nga ana tjetër ka pasur rënie prej 17 mijë e 481 banorë, Lipjani prej 2,631, Drenasi me 10 mijë e 477. Edhe Mitrovica e Veriut, Skenderaj e Vushtrria kanë pësuar rënie të popullsisë”, ka thënë ai. 

Rrmoku ka thënë se Ministria e Financave dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet ta kenë prioritet ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. 

“Ministria e Financave dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të marrin në konsideratë këto statistika, të cilat kanë dalë prej regjistrimit të fundit të popullsisë, ta prioritizojnë çështjen e ndryshimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe domosdoshmërisht ta ndryshojnë edhe pjesën e formulës së financimit të komunave”, është shprehur Rrmoku. 

Ai ka shtuar se nuk do të ketë vështirësi për nivelin qendror që ta ndajë financimin, pasi shkojnë me planifikimin që bëhet në baza vjetore.