Nga tetori, me vendim të Qeverisë së Kosovës pensionet për disa kategori të pensionistëve do të rriten për 20 për qind.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, e ka quajtur tallës këtë vendim. Sipas tij, vendime të tilla pak para zgjedhjeve janë të pritshme.
“Vendimi i fundit i Qeverisë për 20 euro, kjo është tallje me popullatë. Është duke ju dhënë lëmoshë në momente të caktuara. Jemi para zgjedhjeve dhe është e pritshme të kemi rritje edhe në segmente tjerë sepse kanë nevojë për një grusht vota”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Dreshaj ka theksuar se skemat pensionale kanë nevojë për rikonstruktim të plotë.
“Skemat pensionale kanë nevojë për rikonstruktim komplet, një zgjidhje një herë e përgjithmonë. Para një viti e gjysmë kam lobuar te opozita që të kalojë marrëveshja ndërkombëtare të një kredi për rregullimin e skemës pensionale, kjo ka kaluar në Kuvend por po bëhen gati dy vjet dhe nuk dimë ku jemi me zgjidhjen e skemave”, është shprehur ai.
Derisa ka kritikuar Qeverinë, Dreshaj ka thënë se nuk të jetë gjendje e mirë për Kosovën nëse Vetëvendosje del fituese sërish në zgjedhjet e shkurtit.
“Nëse ky popull e do këtë qeverisje, rruga e mbarë i qoftë. Nuk ka me na dalë mirë nëse vazhdojmë në këtë formë. Janë katër vjet mos me pasë asnjë njohje, me të anashkalu sponsorizesit kryesorë të pavarësisë, katër vjet me të përjashtu prej ushtrimeve me NATO-n, unë nuk di si mund t’i quaj ndryshe pos dështim”.