Në Qendrat e Mjekësisë Familjare është rritur numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e simptomave të gripit sezonal. E ndonëse në botë ka nisur përhapja e infektimeve me MetaPneumovirus, që ka simptoma të ngjashme me ato të gripit sezonal, autoritetet thonë se në Kosovë nuk ka raste të tilla, teksa sigurojnë se ky virus nuk ka potencial për t’u bërë pandemi
Është rritur numri i qytetarëve që në dy javët e fundit i janë drejtuar Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të kërkuar trajtim mjekësor, si pasojë e shfaqjes së simptomave të gripit sezonal.
Drejtori kësaj QKMF-je, Bujar Gashi, thotë se pjesa më e madhe e pacientëve kanë manifestuar simptoma me ethe, temperaturë, kokëdhembje, kollë e rrjedhje të hundëve.
“Java e fundit e dhjetorit dhe tani që jemi në pjesën e janarit është e ngarkuar, nuk mund të bëj ndonjë krahasim të madh, sepse zakonisht në këtë fazë të vitit kemi viroza dhe kemi gripe që janë të pranishme. Nuk ka ndonjë ndryshim. Ndryshimet mund të jenë signifikante për një numër të caktuar, nja 5 për qind deri në 10 për qind më shumë sesa vitin e kaluar”, ka thënë drejtori Gashi.
E specialisti i shëndetit publik në IKSHPK, Faik Hoti, tha se gripi është në pikun e shpërndarjes.
“Rritja e numrit është karakteristikë tipike për muajin janar, kur llogaritet që është edhe piku i sezonit të gripit dhe ne në bazë të analizave javore që bëjmë, e shohim që momentalisht intensiteti i gripit është në shkallën që ne e kualifikojmë si i mesëm-i lartë”, ka thënë Hoti.
Aktualisht, në botë është në qarkullim MetaPneumovirusi, virus i rrugëve respiratore, që ka simptoma të ngjashme me gripin.
Hoti ka konfirmuar se Kosova nuk ka regjistruar asnjë rast me këtë virus.
“U sugjerojmë që të kenë vetëm kujdes dhe pa panik për shkak se edhe parashikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë që mund të ketë raste të shtuara jo vetëm në Kinë ose në Indi ose në shtete të tjera nesër, por nuk ekziston potenciali për të menduar për një pandemi, sepse që të ketë një pandemi duhet të ketë një patogjen të ri respirator të pazbuluar deri më tani”, ka thënë ai.
Ariana Kalaveshi, udhëheqëse e Departamentit të Epidemiologjisë, thotë se situata po monitorohet me testimin e rasteve të dyshuara.
“Metapneumovirusi nuk duhet të shkaktojë panik te popullata, sepse viteve të kaluara kemi pas më herët 1 ose 2 raste, që të gjitha shtetet e kanë. Vjet në Shqipëri ka qenë konkretisht doktoresha, epidemiologia e sëmurë prej saj, sikurse siç sëmuresh prej virozave të tjera, por megjithatë ne e kemi ngritur alertin në momentin që edhe Kina ka raportuar raste, për shkak të situatës së kaluar me COVID-in. Sivjet nuk kemi raste”, ka thënë ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se institucionet shëndetësore janë në gatishmëri për të ndërmarrë masa në rast të regjistrimit të ndonjë rasti me këtë virus.