Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka paralajmëruar fillimvit shkollor me probleme, tek ka kritikuar Qeverinë mbi vendimin për subvencionimin e librave. Sipas llogaritjeve që ka bërë KOHA, për disa klasë vlera e librave shkollorë tejkalon shumën e ndarë nga Ministria e Arsimit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka paralajmëruar fillimvit shkollor me probleme, tek ka kritikuar Qeverinë mbi vendimin për subvencionimin e librave. Sipas llogaritjeve që ka bërë KOHA, për disa klasë vlera e librave shkollorë tejkalon shumën e ndarë nga Ministria e Arsimit.
Kur kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fillimin e vitit shkollor, Ministria e Arsimit po kritikohet mbi vendimin për t’i subvencionuar prindërit për blerjen e librave dhe materialeve të tjera shkollore.
Sipas llogaritjeve që ka bërë KOHA, vlera e librave në treg ka një trend të rritjes në lidhshmëri me nivelin e klasave. Pra, aq më e lartë klasa, librat janë më të kushtueshëm.
Vetëm librat për klasën e parë kushtojnë mbi 70 euro, ku më e shtrenjta është abetarja, me çmim 11 euro. Krahasuar me vitin e kaluar, për klasën e parë çmimi është rritur për 7-8 euro.
Për një nxënës të klasës së katërt, vetëm librat bazë kushtojnë rreth 55 euro, po të llogariten edhe fletoret e punës, çmimi total shkon mbi 70 euro.
Për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën Ministria e Arsimit ndan 80 euro.
E, për nxënësit nga klasa 6 deri në të 9-n subvencionohen nga 110 euro.
Por tekstet shkollore për një nxënës të klasës së gjashtë kushtojnë afro 85 euro e për ata të klasës së nëntë mbi 130 euro.
Në këtë llogaritje nuk janë marrë parasysh shpenzimet për materiale të tjera shkollore si çantat, fletoret, vizoret, ngjyrat e të tjera.
Nexhmije Krasniqi, prind i një nxënësi të klasës së gjashtë, ka ankesa edhe për çmimin por edhe për mënyrën e shpërndarjes.
“Janë pak si të shtrenjta… tash është më e komplikuar, jo hyr nëpër faqe, jo apliko. Vitin e kaluar kam pasur dy tri herë problem me apliku sepse nuk më pranohej dhe kanë vonuar shumë që t’i shpërndajnë të hollat”, ka thënë ajo.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se çmimet e librave nuk duhet të jenë më të larta se shuma e mjeteve që jepet nga MASHT-i.
“Çmimi i teksteve shkollore nuk guxoj të shkojë më shumë sesa ai 80 euroshi apo 120 euroshi i prezantuar për dy nivelet. Pasi që rikujtoj është obligim i MASHT-it t'i sigurojë tekstet shkollore", është shprehur Qehaja.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se për shkak të pritjeve të gjata të prindërve për t’i blerë librat e subvencionimit të mjaftueshëm, viti shkollor mund të nisë me vonesa.
Kritika ka pasur edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu.
“Viti shkollor do të filloj me probleme, pa fajin e SBASHK-ut, pa fajin e mësimdhënësve. Por ata do të ndihen shumë keq duke e parë që një pjesë e nxënësve nuk po arrin dot të ketë tekste dhe janë në mëdyshje, a të fillojnë me shpjegimin e njësive apo të presin. Po pritën, dëmtohet procesi mësimor”, ka thënë Jasharaj.
“Ata ia kanë hedhur përgjegjësinë prindërve. Sot nëse shkoni në librari nuk ka libra të botuara sepse edhe shtëpitë botuese nuk kanë qenë të informuara me numrin të cilin ato duhet t’i botojnë. Prandaj, sot Kosova, disa prindër kanë filluar të subvencionohen por nuk ka libra për t’i blerë dhe kjo është krejt paradoksale dhe flet për paaftësinë e Ministrisë së Arsimit”, ka theksuar Lushaku-Sadriu.
Viti shkollor që po fillon është i dyti që librat shkollorë nuk sigurohen nga Ministria, por prindërve u ndahen subvencione që ata t’i blejnë vetë ato.