Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke bërë me dije se javëve të fundit rastet janë shtuar.
IKSHPK-ja ka thënë të martën se rritja e rasteve ka rezultuar me rritje të fluksit të qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te jë numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksina kundër gripit është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit”, thuhet në njoftim.
Sipas Institutit, me theks të veçantë duhet të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe imunitet të dobët, personat mbi moshën 65-vjeçare dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë u tha se i ka siguruar për këtë sezon 85.000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë.
“Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit, ndërsa efekti i saj fillon 1 deri 2 javë pas marrjes, ndërsa mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit”, thuhet tutje në njoftim.