Arbëri

Rrëzohet “afera e madhe”

Vitin e kaluar Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës. Ata i akuzoi për korrupsion dhe ishte konsideruar si hetimi më i madh në vitin 2023. Por kjo aktakuzë nuk e ka kaluar as filtrin e konfirmimit. Në fazën e kundërshtimit të akuzave, Gjykata ka konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme, andaj hetimi është pushuar pa u mbajtur fare gjykimi

Më 23 gusht të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media njoftoi se ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 10 zyrtarëve e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Por kjo aktakuzë nuk e ka kaluar as filtrin e konfirmimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pa gjykim, vetëm nga ankesat paraprake të të akuzuarve, e ka hedhur poshtë në tërësi aktakuzën.

“Aprovohen kërkesat për hedhjen e aktakuzës të mbrojtësve të të pandehurve: Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Avdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Izedin Bytyqi, Muhamet Gashi, Blerim Dina dhe Nuhi Paçarizi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjyqtari Mentor Bajraktari e ka arsyetuar hedhjen e aktakuzës me mungesën e provave që Prokuroria Speciale i ka dorëzuar për ketë rast.

“Nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen me aktakuzë”, thuhet në aktgjykim.

Krejt arsyetimi i shkallës së parë është i përmbledhur në 36 faqe.

Për secilën pikë Gjykata ka konstatuar se Prokuroria Speciale nuk ka mbledhur fakte të mjaftueshme e për disa pika, as nuk e ka lexuar e konsultuar bazën ligjore.

KOHA ka provuar të kontaktojë prokurorin e rastit, por nuk ka arritur.

Prokuroria e Shtetit pati nisur hetime për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale Segmenti Prizren-Prevallë”, qysh në vitin 2020.

Për tre vjet, prokurori special në koordinim me hetuesit e Njësisë për Hetime të Veçanta Kundër Korrupsion mblodhën prova, ku edhe u bazua aktakuza.

Por prej atëherë krejt çfarë ndodhi në këtë proces gjyqësor është faza e kundërshtimit të akuzave nga të akuzuarit, që është e barasvlefshme me fazën e konfirmimit të akuzës para fillimit të procesit gjyqësor.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin sekretarë e drejtorë departamentesh në Ministri të Infrastrukturës, përfshirë ish-sekretarin Betim Reçica e sekretarin aktual, Izedin Bytyqi.