Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka ndërhyrë në objektin e Shkollës së Parë Shqipe të shtunën për shkak të rrezikut që ka paraqitur objekti për qytetarët, ka njoftuar drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Fushtica.
Ai ka thënë se është kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërhyrje urgjente në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në kryeqytet.
“Objektet e braktisura në qytetin tonë paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve. Mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve, ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe mund të bëhen strehë për aktivitete të paligjshme”, ka shkruar në Facebook.
Fushtica ka theksuar se ndërtesat e braktisura janë problem në rritje në Prishtinë dhe përbëjnë rrezik për sigurinë. Ai ka paralajmëruar për problemet që mund të sjellin si, rrezik për shkaktim aksidentesh, probleme ambientale e shëndetësore dhe rrezikun se mund të përdoren për aktivitete të paligjshme.