Dy mijë qytetarë rrezikojnë të gjobiten pasi refuzuan të regjistroheshin në procesin e regjistrimit të popullsisë. Në Agjencinë e Statistikave kanë njoftuar se janë në fazën e verifikimit final. Ndërsa kanë treguar se 4 ditë para së të mbyllet procesi për regjistrimin e diasporës deri tash janë regjistruar rreth 600 mijë mërgimtar.
Ardona Popova
Nga 50 deri në 2 mijë euro pritet të gjobitën rreth 2 mijë qytetarë që refuzuan të regjistroheshin në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Yll Shala, thotë se kanë evidenca për ata persona që kanë refuzuar të regjistroheshin.
Regjistruesit kanë pasur për detyrë që tek një familje e cila për here të par ka refuzuar të regjistrohej të shkonin të paktën tri here tek ta për ti bindur që të regjistrohen.
“ Kemi evidenca sepse regjistruesi ka qenë i obliguar të shkoj tri herë dhe secilën herë që ka shkuar e ka lajmërua mbikëqyrësin e tij. Në rast që edhe mbikëqyrësi nuk ka prit as atë ekonomia familjare sepse fillimisht regjistruesi ka qenë i obliguar me lajmëroi mbikëqyrësin pastaj mbikëqyrësi nëse e ka identifikua që ekonomia familjare nuk po pranon atëherë mbikëqyrësi ka qenë i obliguar të lajmëroj komisionin komunal. Komisionet komunale kanë qenë mjaftë aktive andaj edhe nuk ka qenë shumë i madh numri. Njerëzit që punojnë nëpër komuna zakonisht njihen me rrethin e tyre dhe i kanë marrë përsipër këto raste”, tha Shala.
Shala ka treguar se ASK-ja është në proces të verifikimit të arsyes së refuzimit nga ta.
Ka treguar se pas këtij procesi do të filloj faza e gjobitjes.
Shala ka thënë se personat të cilët kanë qenë jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten.
“ASK këtë vit e ka zhvillu procesin e regjistrimit të popullsisë në tërë territorin e Kosovës. Regjistruesit kanë pasur të trokasin në çdo ekonomi familjare, deri në tri herë në një ekonomi familjare që me i marrë informatat për atë familje ekonomike. Po ka pasur raste që ka pas refuzime, i kemi të identifikume të gjitha ato refuzime të cilat komisioni që është këtu në ASK është duke punuar dhe shqyrtuar ato raste. Janë diku 2 mijë raste por nuk janë të gjitha për gjoba, nëse një ekonomi familjare ka refuzuar regjistruesin 3 herë sigurisht që ai e meriton gjobën dhe komisioni merret me atë ekonomi familjare. Por në rastet kur regjistruesi nuk ka hasur në ekonomi familjare, nuk e ka takuar familjen ekonomike apo për arsye të ndryshme ka qenë jashtë vendit ose me studime jashtë ose ndonjë trajtim mjekësor, kjo nuk i përket asaj pjesës së regjistrimit”, tha Shala.
I gjithë procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ka përfunduar ende.
Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në përfundim të afatit të regjistrimit të popullsisë për diasporë.
Sipas Shalës deri tani kanë aplikuar rreth 600 mijë mërgimtar.
Ai ka thënë se të dhënat finale për procesin e regjistrimit të popullsisë i cili ka 5 muaj që ka filluar, do të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti.