Për më shumë se një muaj stacionet e autobusëve ishin të mbushur plot me qytetarë që prisnin për minuta të tëra.
Ndryshimi i qarkullimit të autobusëve nëpër rrugën “Bill Clinton” për shkak të mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush” në muajin dhjetor krijoi tollovi të shumta në komunikacion e vonesa.
Nga java e kaluar, kjo rrugë u lirua përsëri, por vetëm për qarkullimin e autobusëve, taksive dhe mjeteve të intervenimit.
Linja 1, 3 dhe 4 janë rikthyer për qarkullim nëpër këtë rrugë, përderisa ndryshim ka pasur 1A dhe 7C që nuk do të qarkullojnë më nëpër sheshin e ri.
Kjo, sipas Trafikut Urban e ka rritur efikasitetin në terren dhe autobusët nuk po vonohen.
Mesi shesh e anash qarkullimi i autobusëve nuk po u pëlqen qytetarëve.
“Po më duket si pa lidhje. Mendoj se më mirë ka qenë si përpara”, ka thënë një qytetar për KTV-në.
“Disi e pakuptimtë...” ka shtuar një tjetër.
“O duhet të mbyllet o të lirohet, kjo s’është zgjidhje”, ka thënë një qytetar tjetër.
Përveç kësaj, tashmë ka filluar edhe largimi i ishullit ekzistues, në mënyrë që sheshi në mes të shtrohet me kalldrëm dhe jo me pllaka, siç është pjesa tjetër e sheshit.
E anash saj, me një shpejtësi prej 20 km/h autobusët, taksitë e mjetet e intervenimit, siç janë ambulanca, zjarrfikësit e policia, lejohen të qarkullojnë nëpër këtë rrugë.
Megjithëse për veturat është ndaluar qarkullimi, një gjë e tillë nuk po respektohet nga shumë qytetarë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka paralajmëruar se për ata që e thyejnë këtë rregull do të ketë gjobë prej 500 eurosh dhe do t’iu merret patenta e shoferit.
“Kjo bie në domenin e Policisë së Kosovës, pra gjobat, mirëpo në një takim që e kemi pasur, nëse nuk gaboj, flasim për një gjobë prej 500 eurove e edhe patentë shoferi merret për një vit, ky është dënimi për qytetarët. Ndërsa për taksitë, nëse vetëm nuk e presin autobusin dhe duan të kalojnë atë në vijë të plotë, atëherë gjoba për ta është 500 euro dhe u merret patentë shoferi për 3 muaj”, ka thënë Musliu.
Megjithatë, shuma e gjobave të shqiptuara është 40 euro.
Zyrtarët policorë po detyrohen të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në këtë rrugë, të cilët edhe po shqiptojnë gjoba duke ua marrë edhe tabelat, por edhe patentën e shoferit, ashtu siç edhe janë paralajmëruar.
E lirimi i kësaj rruge për qarkullimin e transportit pritet të lirojë më shumë komunikacionin në pjesë të tjera të qytetit e po ashtu pritja e qytetarëve të jetë më e shkurtër.
“Qëllimi kryesor gjithkund në botë është t’i jepet transportit publik, atij masiv. Kemi linjat e autobusëve që frekuentojnë qendrën e qytetit dhe kjo ka bë që të lehtësohet komunikacioni kur e dimë se minimumi i një autobusi që lëviz nëpër qendër është 12 metra. Kësisoj transporti masiv ka filluar të jetësohet”, ka thënë Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
Për shkak të sigurisë së qytetarëve, sipas Ahmetit, qarkullimi i autobusëve ka qenë më mirë të bëhet në mes të sheshit.
“Kemi qenë ithtarë dhe është në pyetje siguria e qytetarëve, e njerëzve dhe e këmbësorëve, kryesisht që korsitë rrugore apo shfrytëzimi i korsive rrugore nga transporti publik të bëhet në mes e jo në anën e majtë apo të djathtë”, ka deklaruar ai.
Në këtë rrugë, sipas Komunës së Prishtinës do të mund të kalojnë edhe mjetet për furnizimin e bizneseve që operojnë në këtë shesh, porse atë mund ta bëjnë vetëm para orës 7 të mëngjesit.