Arbëri

Rreth 40 avokatë nënshkruan peticion për rastin e Shaban Gogajt

Reagim të institucioneve të Kosovës për zhbllokim të procesit gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt, ka kërkuar me anë të një letre babai i tij. Ai ka kërkuar që të arrihet drejtësia për vrasjen e të birit, derisa disa avokatë kanë nënshkruar një peticion me anë të të cilit synojnë bojkotimin e Gjykatës së Pejës, pas gjobitjes së avokatit të caktuar nga trupi gjykues për këtë rast. Disa nga avokatët që nënshkruan këtë peticion, thonë se këtë e bënë për kolegun e tyre, e jo për ta bojkotuar sistemin gjyqësor.

Një numër avokatësh paralajmëroi bojkotimin e departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Pejës. E kanë bërë këtë të premten nëpërmjet një peticioni, pas gjobitjes së avokatit Gëzim Kollçaku.

Kollçaku, i cili ishte caktuar avokat i Shaban Gogajt që akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, u gjobit nga trupi gjykues 3 herë me nga 250 euro për zvarritje të rastit.

Rreth 40 avokatë kërkuan nga Këshilli drejtues i Odës së Avokatëve që në rast se gjykata vazhdon me praktikën e njëjtë, të merret vendim që të bojkotohet ky institucion.

Iniciuesi i peticionit, avokati Veton Berisha, nuk u përgjigj rreth kësaj çështjeje, ndërsa disa nga avokatët që e kanë firmosur peticionin, thanë se janë kundër dënimit të kolegut të tyre, por shprehën mospajtim për bojkotim të gjykatës.

Me këtë peticion nuk po pajtohet as dega e OAK-ut në Pejë.

“Qëndrimin merre nga ata që e kanë organizuar këtë peticion, se Kryesia e Degës nuk qëndron pas këtij peticioni”, ka thënë Blerim Ademaj, kryetar i degës së OAK-ut në Pejë.

Kundër bojkotimit janë edhe nga degë të tjera të OAK-ut.

“Moszbatimet e vendimeve të Gjykatave janë vepër penale, kështu që ju mbetet institucioneve përkatëse të veprojnë në këtë drejtim... për mua ai vendim i Odës së Avokatëve, për të mos dërguar avokat në rastin në fjalë është i kundërligjshëm dhe për mua gjithmonë mbetet si i tillë”, ka thënë Nasuf Hasani, kryetar i degës së OAK-ut në Prishtinë.

Bllokimi për disa muaj për këtë rast e ka detyruar edhe babanë e të ndjerit Agonis Tetaj, që t’u shkruajë letër, presidentes, Kuvendit, kryeprokurorit dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë letër të cilën e posedon KOHA, Isuf Tetajt, ka kërkuar nga këto institucione që të ndikojnë në zhbllokim të procesit për të arritur drejtësi për djalin e tij, teksa ka thënë se Prokuroria do të duhej të procedojë rast penal për avokatin Gëzim Kollçaku, e për kryetarin e Odës së Avokatëve, Behar Ejupi.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, ka thënë se vendimi i Qeverisë duhet të zbatohet, për shkak se vendimi OAK-ut, nuk ka qenë i bazuar në ligj. Në këtë Ministri nuk janë përgjigjur në lidhur me peticionin, apo nëse OAK-u do të përballet me ndonjë masë ndëshkuese.