Arbëri

Krijohet Departamenti i sigurimit fizik, rreth 380 punëtorë rikthehen nën menaxhimin e KEK-ut

Rreth 380 punëtorë të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike, pas dy dekadash pune në kuadër të sektorit privat, janë kthyer nën menaxhim të KEK-ut. Vendimi i marrë nga Bordi i KEK-ut u mirëprit nga Sindikata e Punëtorëve. E në KEK nuk treguan se sa është shpenzuar ndër vite për kontraktorët privatë

Kërkesat për t’u kthyer nën menaxhimin e KEK-ut, që i shtruan në protesta të shpeshta viteve të fundit, rreth 380 punëtorëve të sigurimit fizik iu plotësuan të mërkurën.

Pasi shërbimi u privatizua, për vite ata punuan në kuadër të sektorit privat.

Me vendim të bordit të Korporatës Energjetike, ata janë rikthyer nën menaxhim të Departamentit të sigurimit fizik të ndërmarrjes.

Miratimi i kërkesës u mirëprit nga kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica.

“Ne mendojmë që do të paguhen më mirë, ne besojmë që do të respektohen të drejtat e tyre më shumë dhe shpresojmë që do të paguhen me një pagë më të dinjitetshme se sa në sektorin privat. Kuptohet që kompanitë të cilat e kanë marrë sigurimin fizik në këtë kompani, e kanë marrë me një tender dhe gjithherë kanë dashur që të përfitojnë sa më shumë që është e mundur nga mundi i punëtorëve”, ka thënë Llumnica.

Ai u ankua se krahas pagës së ulët, punëtorët e sigurimit fizik në sektorin privat nuk janë paguar për të drejtat elementare që u takojnë. E pati kritikë edhe për mënyrën e kontraktimit të kompanive private në të shkuarën.

“Nga viti 2007 e tutje është tenderuar jashtëligjshëm dhe ne gjithherë kemi protestuar, në vazhdimësi jemi munduar të bëjmë atë presionin maksimal, me qëllim që këta punëtorë të kthehen në vendin e tyre, për arsye se këta nuk kanë marrë aksione, nuk janë privatizuar por janë huazuar dhe me të drejtën e tyre është dashur të kthehen pas 3 vjetëve në KEK”, ka thënë Llumnica.

Në KEK thanë se vendimi e synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të sigurimit. Por në këtë ndërmarrje nuk ofruan përgjigje në pyetjet e KOHËS mbi shpenzimet që Korporata i ka paguar për kontraktorë privatë.

“Bordi i KEK-ut merr një vendim të rëndësishëm për sigurinë fizike të objekteve dhe aseteve të saj. Vendimi ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të sigurimit, duke pasur parasysh rëndësinë e objekteve të KEK-ut për sigurinë energjetike dhe interesin vital të vendit. Gjithashtu, Bordi ka udhëzuar menaxhmentin që të fillojë me krijimin dhe funksionalizimin e këtij departamenti, duke respektuar rregulloret e brendshme dhe ligjet në fuqi. Ky hap pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe forcimin e sigurimit të objekteve të KEK-ut, duke siguruar një mbrojtje më të fortë dhe më të qëndrueshme për asetet e kompanisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Procesi i ndarjes së njësive për punëtorë të sigurimit fizik në KEK ka nisur më 2004. Që atëherë, punëtorët që u bartën në menaxhim të privatit nuk janë paguar nga shteti.

E ata, nëpërmjet protestave të shpeshta kanë kërkuar rikthim në kuadër të ndërmarrjes, për kushte më të mira të punës.