Arbëri

Rreth 300 minatorë padisin Trepçën, duan kompensim për punën në vikende

Rreth 300 minatorë kanë filluar ta padisin ndërmarrjen “Trepça”, për shkak të mos kompensimit të punës në ditë vikendi. Edhe pse ata kanë arritur pajtim gjyqësor me gjigantin metalurgjik, kjo ndërmarrje nuk e ka kryer këtë obligim

Minatorët e gjigantit metalurgjik “Trepça”, akuzojnë menaxhmentin se nuk po i paguan për punën që bëjnë gjatë fundjavës, siç parashihet me ligj.

Për këtë, rreth 300 minatorë kanë filluar procedurat gjyqësore, për mjetet financiare që u takojnë.

Avokati Avdi Ademi, që përfaqëson ata, ka thënë se për këtë çështje kanë arritur marrëveshje me ndërmarrjen.

“Afërsisht konsiderohet që 300 persona kanë filluar procedurën për kompensimin e vikendeve, përkatësisht ose diferencave në vikend, për shkak që Ligji i punës neni 56, parasheh që për punën që ata punojnë gjatë vikendit, duhet të paguhen me plus 30 për qind. Me Trepçën kemi arritur marrëveshje që në bazë të pajtimit gjyqësor të paguhen me dy këste, shuma që pretendohet që një punëtor mesatarisht m’i fitu është 2000 euro”, ka thënë Ademi.

Ademi thotë se marrëveshjen nuk po e respekton ndërmarrja “Trepça”. Ndërsa tregon se kompensimet do t’u takojnë vetëm për 3 vjetët e fundit.

“Me Trepçën kemi arritur marrëveshje që në bazë të pajtimit gjyqësor, të paguhen me dy këste, kësti i parë ka qenë 16 dhjetor 2024, ndërsa kësti i dytë është 1 qershor 2025. Për këstin e parë, ndërmarrja nuk e ka respektuar marrëveshjen Trepça, kemi inicuar procedurë përmbarimore, te përmbaruesi privat për ta ekzekutuar pagesën e parë. Retroaktiv është 2021-2023 për periudhën kohore, për të cilën ata nuk e kanë marrë si diferencë për vikendin”, ka thënë ai.

E ish-kryeshefi i “Trepçës”, Ferat Shala, thotë se në këtë ndërmarrje nuk ka punë të mjaftueshme për të punuar gjatë fundjavës.

“E them me përgjegjësi të plotë, atje nuk ka punë të mjaftueshme gjatë ditëve të rregullta të punës, e lëre më vikendit. Vikendit mund të jenë vetëm objektet vitale që duhet të kenë kujdestari dhe mirëmbajtje, nuk ka arsye me këtë kapacitet dhe me këtë organizim që janë, të punohet vikendeve”, ka thënë Shala.

Shala ka kritikuar menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje për mospunë.

“Atje nuk ka menaxhim të mirëfilltë, nuk e njeh askush askënd dhe askush nuk e di cila është detyra primare, sekondare apo punë të tjera dhe tashmë grupet e interesit të cilat e dominojnë Trepçën, të dominuara nga strukturat menaxheriale të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, janë në luftë të hapur mes vete dhe kush sa merr mëditje më shumë dhe asgjë tjetër, linjat e prodhimit janë krejtësisht jashtë funksionit”, ka shtuar ai.

Për moskompensimin e punës në vikende dhe për procedurat gjyqësore nga minatorët, KOHA ka dërguar pyetje në ndërmarrjen “Trepça”, mirëpo nuk ka marrë përgjigje tash e disa ditë.