Rreth 10 mijë konsumatorë ende po përballen me mungesë të energjisë elektrike në Prishtinë, si pasojë e zjarrit që e ka përfshirë nënstacionin elektrik pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se ekipet janë duke punuar që këta konsumatorë mos të kenë probleme me ndërprerje të rrymës, teksa për rreth 11 mijë konsumatorë të tjerë ky problem është zgjidhur.
“Para rreth një ore i është kthyer qasja edhe rreth 11 mijë konsumatorëve, ndërsa rreth 10 mijë konsumatorë të tjerë janë ende pa energji. Ekipet po punojnë që ata të kenë qasje në energji elektrike sa më shpejt, por ende nuk e dimë se kur do të jetë e mundshme”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, teksa të përfshira për lokalizimin e tij kanë qenë autoritetet e shtetit, si policia, prokuroria e zjarrfikësit.
“Prej fillimit kanë qenë të përfshira autoritetet e shtetit, si policia, prokuroria, zjarrfikësit e inspektorati. KEDS-i ne fillim nuk është lejuar të hyjë në objekt, derisa paraprakisht zjarrfikësit dhe autoritetet tjera e kanë kryer punën e tyre. Para një ore u është lejuar qasja në objekt”, ka thënë ai.
Zjarri që ka përfshirë këtë trafostacion ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje të Prishtinës.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë se intervenimi për shuarjen e zjarrit ka qenë i vështirë.