Arbëri

Rrënimi i historisë

Foto: Koha

Shaban Çupi, mësues në “Kështjellën e Diturisë”, ndau mendjen tek pas 27 vjetësh t’i kthehej “vendit të krimit”.

Burri nga Paldenica e Hanit të Elezit dhe shokët e tij morën udhë drejt Gurrakocit të Istogut. Ndryshe prej vitit 1986, kur të prangosur po e priste gardiani, ish i burgosuri politik do ta hapte vetë derën. Ishte viti 2017, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Është interesante me iu kthy burgjeve, se ne nuk kthehemi në vendin e krimit, se ne kemi qenë idealistë të mëdhenj. Pse idealistë të mëdhenj, sepse nëse e viziton Shqipërinë, Shqipërinë e sotme administrative, ngado që shkon ka kala. A e keni vërejtur?” - thekson Çupi.

“Do të thotë një popull që kurrë s’e ka pranu pushtimin, se kalaja është simbolikë e qëndresës. Në Kosovë kemi Artanën, Prizrenin, por nuk kemi sa në Shqipëri, që do të thotë jo se ne kemi pasur më pak kala, por në vend të kalave kemi pasur burgje”.

“Nuk iu kthyem vendit të krimit, por iu kthyem kalasë”

“Dhe ne nuk iu kthyem vendit të krimit, por iu kthyem kalasë”, thekson Çupi në ambientet e shkollës së fshatit, ku vazhdon të punojë. Para vetes ka disa prej 21 librave autorialë. Në disa sish, dhjetëra faqe përthekojnë dëshmitë e tij e të shokëve bashkëveprimtarë.

Me ta kishte vepruar në ilegalitet në vitet tetëdhjetë, kur Kosovës nisi t’i ngushtohej laku pas demonstratave studentore të vitit 1981për Kosovën Republikë.

Por historia “e prekshme” e Çupit dhe ishtë burgosurve të tjerë në Gurrakoc pritet të rrafshohet. Objekti i dëmtuar nga mungesa e dorëssë shtetit është kthyer në strehimore zori për shumë familje. Autoritetet lokale të Istogut u kanë thënë tetë familjeve nga rrethina e Klinës dhe e Istogut që ta lëshojnë objektin deri në pranverë. Inspektorët e Urbanizmit i kanë rekomanduar Komunës që ta rrënojë objektin. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN drejtori për Planifikim Urban dhe Mjedis, Besart Dreshaj, i cili ka thënë nëpërmjet telefonit se objekti dykatësh pritet të rrënohet për shkak të shkallës së lartë të dëmeve. Komuna, sipas tij, ka marrë edhe mbështetjen e niveleve ministrore. Çupi nuk pajtohet assesi me planin e Komunës Perëndimore të Kosovës. “Rrënimi i burgjeve është vendimi më miop, më mediokër, i cilitdo institucion të Kosovës që e bën atë”, thekson ai. “Po ajo është trashëgimi e jona. Po ajo është sikur ta shembësh një kala, more burrë. Po, a mendojnë këta njerëz se i zhdukin gjurmët. Po nuk janë veç të miat, po janë me qindra shokë, po janë njerëz që kanë dhënë gjak dhe jetën për Kosovën”. 

“... sikur me u çu me i prishë te Jasharët”

Naim Ramadani, ish i burgosur politik që gjatë viteve tetëdhjetë kishte vuajtur katër vjet burgjeve të Kosovës dhe Serbisë për veprimtarinë e tij politike, thotë se institucionet e vendit nuk po kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë materiale e shpirtërore.

“Domethënë, ‘çdo sen që preket, në vend se me mbetë që me shku me vizitu si dëshmi. Me shku me thanë: ‘Kaq janë vra’”, thekson me mllef Ramadani. 

“Me rrënimin e burgjeve, i bie sikur me u çu me i prishë (shtëpitë dhe objektet,v.j) te Jasharët”. Aktivisti Shkëlzen Gashi, i cili ka qenë i zëshëm në kërkesat e tij për të kthyer në muze objektet që lidhen me luftën e fundit, ka thënë të hënën në emisionin “Express” në KTV se edhe ndërtesa e burgut afër stacionit policor qendror të Prishtinës do të mund të kthehej në muze për dokumentimin e keqtrajtimit të të burgosurve politikë. 

“Na kemi shumë pak ndjeshmëri për trashëgiminë kulturore shpirtërore”, ka thënë Gashi, duke shtuar se shoqëria kosovare mendon “shumë pak për pasurinë shpirtërore, për rrëfimet e këtyre njerëzve” që kanë vuajtur nëpër burgjet e Kosovës. 

Ai ka treguar se si Sarajeva kishte disa muze për luftën e gjys mës së parë të viteve nëntëdhjetë. “Dhe seni i parë që më ra në mend është se çfarë i tregojmë ne një të huaji në Kosovë për luftën e fundit”, ka thënë ai. 

Në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë, Çupi i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës më 1999, kishte dëgjuar se burgu i Gurrakocit ishte kthyer në strehimore për refugjatët serbë nga Knini i Kroacisë. Pas 27 vjetësh do ta shihte vetë se ndërtesa ishte kthyer në strehimore ilegale prej tetë familjeve të komuniteteve të ndryshme nga rrethinat e Istogut dhe Klinës. 

“Përshtypja e parë kur hyna: Ishte një burg i shkatërruar. Hyna te dera hyrëse, ajo e hekurit, por kur hyna brenda, gjithçka e shkatërruar. Aty i gjeta do familje”, kujton Çupi. 

Jetë ferri 

Familja e Lumnije Çitakut ka nëntë vjet që jeton në ndërtesën e lënë pas dore prej pasluftës. Familja pesanëtarëshe jeton me 125 euro të socialit dhe me 75 euro ndarë si kompensim pas një aksidenti të çiftit. Çitakët menduan se do të kalonin pak kohë në strehimoren e zorit. 

Uji që pihet mund të kontaminohet, pasi një tub vazhdimisht rrjedh nga ndërtesa. Ujërat e zeza kanë vërshuar korridoret. Banjat në katin e dytë janë jofunksionale. Lagështia ka shembur pjesë të tyre. Larja e dy vajzave dhe djalit është sfidë e madhe për zonjën Çitaku. 

“Kur ishin të vegjël i lajsha në dhomë, por tash janë rritur dhe nuk e shoh të arsyeshme me i pastru, se djali tetë vjet e çika ma e madhe. Po duhet veç njëherë në javë me i la”, thekson ajo në korridorin e lagësht. 

Në mjedisin që kundërmon, ajo i than rrobat. Para disa vitesh një ish-i burgosur politik u kishte kërkuar leje Çitakëve që të shihte dhomat ku kishte vuajtur dënimin në vitet tetëdhjetë. 

“Kanë ardhur, kanë thanë se këtu ka qenë shumë mirë ku kanë nejtë, thoshin si hotel”, thotë Çitaku. Armend Vrankaj, i kthyer nga Gjermania, ende nuk e di se ku do ta strehojë familjen katëranëtarëshe pas rrëzimit të objektit. 

“Katastrofë vëllai jem, pa dru, pa harxh, rrallë  najherë që na nimojnë. E kam socialin 107 euro. Nuk munesh sen me ba me to”, thekson Vrankaj, i cili kishte jetuar në Pejë para se të detyrohej të strehohej në Gurrakoc. 

Ai thotë se tetë familjet që strehohen në objektin e burgut të dikurshëm janë të komunitetit ashkali, romë e egjiptian. Ka edhe shqiptarë, si familja Çitaku. Dhomat e Vrankajt nuk kanë dyer. Korridorin e ka ndarë me një derë të improvizuar me dërrasa. Ajri është i ftohtë në një ditë messhkurti. Tavani pa pllakë të betontë ka nisur të varet në disa pjesë të dhomave. Në qoshe të korridorit ka një guacë tualeti. 

“Djalin e kam me inhalim. Krejt era po hyn. Thuaja në zall flej”, thekson Vrankaj, duke treguar se shpesh i shtrëngon fëmijët të kërkojnë lëmoshë. Dreshaj ka thënë se Komuna e Istogut do të marrë përsipër strehimin e përkohshëm të dy familjeve nga rrethina. Vrankaj ende nuk e di se çfarë do të bëhet me familjen e tij nga rrethina e Klinës. 

“Më shumë dashni more vëlla...” 

Ish-të burgosurit politikë ngulmojnë që të mendohet edhe një herë para se ekskavatorët të rrafshojnë ndërtesën e ish-burgut të Gurrakocit. 

“Më shumë dashni more vëlla, për gurin, për tokën, për qiellin për krejt”, thotë Çupi. Nuri i qeshet kur i thotë këto fjalë. Dy herë ishte dënuar me izolim në burgun e Dubravës pasi kishte organizuar greva në Gurrakoc në mbrojtje të një shqiptari të burgosur që kishte refuzuar vendimin arbitrar të një gjykate jugosllave për t’ua dhënë tokën e tij kolonëve serbë. 

Në “Kështjellën e diturisë”, Çupi tregon njërin prej 21 librave të tij, ku dëshmohen keqtrajtimet e shqiptarëve të pafajshëm nëpër burgje. Çupi gjatë vizitës në Gurrakoc kishte kaluar goxha shumë kohë te qelia famëkeqe e Miliq Kërstës, të vrarë nga Selman Kadria. 

“Po kur shkova te qelia e Miliq Kërstës, nuk u pajtova me asgjë dhe shtrova një pyetje more vëlla: Po si është e mundur që këto institucionet tona që atë qeli dhe së paku një pjesë të burgut të mos e bëjnë muzeale?” – shtron pyetjen Çupi para flamurit-emblemë të UÇK-së dhe atij të Kosovës. 

“More lëkurën e kemi lanë aty. Jo more, nuk është çështje e individualitetit tem. Po kam plot shokë që i kanë dhënë Kosovës gjak”.