Arbëri

Rrëfimi për “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe”

Foto: Koha

Disa filloristë lëshojnë çantat me të dalë në oborrin e shkollës. Pjesën e betonuar para hyrjes, e kthejnë në fushë të improvizuar futbolli. Loja nuk zgjat shumë në mesditën e vranët të së mërkurës, derisa fytyrëqeshur ngjiten përpjetë.

Njëherësh përshëndesin drejtorin dhe dy bashkëfshatarë. Sipër derës së objektit të vjetër, në sy bie më fort e kaltra e tabelës së emrit shkruar me të bardhë: “TRE DËSHMORËT E SHKOLLËS SHQIPE”. Anash po ndërtohet shkolla e re. Emri nuk do t’i ndërrohet, shkruan sot Koha Ditore.

I ishte zyrtarizuar me ceremoni më 31 janar 1993, kur do të shënohej përvjetori i parë i vrasjes së tre burrave të Uçës së Istogut nga forcat serbe. Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj e Hasan Hysenaj, duarthatë, ishin përleshur me forcat serbe fiks një vit më parë. Tre burrat i kishin nxjerrë nga makina e policëve serbë nxënësit e arrestuar që po lëshoheshin teposhtë në shtëpinë-shkollë. Serbët do t’i plagosnin Azllan Hysenajn, vëlla i Hasanit, dhe Imer Hysenajn, i biri i Hasanit.

31 janari është ditë mërzie e krenarie. Edhe reflektimi. Shenjat e asaj dite shihen në tri pjesë të ndryshme ndanë rrugës kryesore që gjarpëron përjetë. Pos tabelës bardhekaltër në ballë të shkollës, në mes të fshatit, më poshtë është ndërtuar lapidari në formë libri i tre burrave të shpallur dëshmorë kombi. Më lart, në oborrin e xhamisë së gurtë, në gurët e mermertë të varreve, rregulluar qysh në fillimvitet nëntëdhjetë, do të vendoseshin shqiponjat e zeza dykrenore.

“... ne nuk i harrojmë në asnjë mënyrë ...”

“Në fakt, ne për çdo vit bëjmë organizime të ndryshme, bashkë me nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe bashkëfshatarët; shkojmë te lapidarët, çojmë kurora dhe u bëjmë nderime”, thekson drejtori i shkollës, Beqir Ibrahimi, duke nxitur vëmendjen e filloristëve që për pak lënë lojën në gjysmë. “Dhe nxënësit, pothuajse qysh prej parafillor e deri te klasa e nëntë, të gjithë, janë të njoftuar me ngjarjet, me historikun e tyre, sepse ne nuk i harrojmë në asnjë mënyrë, sepse është historik i shkollës”.

Regjimi serb i kishte dëbuar nga shkollat nxënësit dhe mësimdhënësit në krejt Kosovën. Filloret do t’ua kthente shqiptarëve, por jo edhe të mesmet. Uça, si fshat ku ndodhej shkolla fillore amë e rrethinës, do të mobilizohej vullnetarisht duke hapur dyert e shtëpive dhe odave për vazhdimin e arsimit të mesëm në rrethana të jashtëzakonshme. Paqësisht, po sfidohej regjimi serb, që dhunshëm do t’i kundërvihej fshatit.

Agim Hoxhaj, i biri i Bajram Hoxhajt, thotë se atëherë kishte mobilizim të jashtëzakonshëm për të mos ua ndërprerë fëmijëve mësimin. “Ato vite, edhe pse tash janë ba 28 vjet, më kujtohen sikur sot. I kemi shumë të freskëta në kujtesën tonë. Nganjëherë kujtohem se si në atë kohë, në ato kushte, arrinim me u organizu kaq lehtë”, thekson ai afër shtëpisë së mërgimtarit Avdullah Imeraj në hyrje të Uçës.

Ishte njëra prej shtëpive-shkolla. Madje disa nxënës po lëshoheshin drejt saj kur do të legjitimoheshin e keqtrajtoheshin nga policia serbe. Në sy të anëtarëve të familjeve Hysenaj e Hoxhaj.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)