Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës ndërkombëtare, ka thënë se Serbia me marrëveshjen e fundit për armatim me Francën, po shfaq shkëputje nga Rusia.
Sipas tij, kur një shtet lidh marrëveshje në fushën e sigurisë me një shtet tjetër, kjo tregon lidhjet më të fuqishme që ka.
Ai ka thënë se Serbia deri tash ka pasur “një lloj varësie” nga Rusia.
“Kur flasim për marrëdhënie ndërkombëtare flasim për politika të nivelit të lartë dhe të ulët. Vetë nënshkrimi i marrëveshjes me Francën, shoh shkëputje përfundimtare të Serbisë nga Rusia, që është jashtëzakonisht pozitive sepse çështjet e sigurisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe fundamentale. Aty ku shteti lidhet në fushën e sigurisë me shtete të caktuar tregon lidhjet më të fuqishme të cilat i ka dhe rrjedhimisht deri më sot s’kemi pasur shkëputje (nga Rusia) me sektorin e Serbisë sidomos në fushën e armatimit, pra njëfarë ndërvarshmërie”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas tij, marrëveshjet që po bëhen për armatimet tash po kushtëzojnë edhe mënyrën se s’i mund të përdoren ato. Duke marrë shembull rastin e Ukrainës, të cilës Perëndimi po ia ndalon përdorimin e armëve brenda territorit rus, Rrecaj ka thënë se Serbia “dikur ka mundur t’i përdorte më lehtë kundër shqiptarëve MIG-ët rusë, por për këtë s’mund t’i shfrytëzojë aeroplanët francezë”.
“Është fillimi i shkëputjes përfundimtare”, ka thënë ai për raportet Serbi-Rusi teksa ka përmendur edhe votimin që Serbia i ka bërë rezolutës së OKB-së për ta dënuar agresionin në Ukrainë, furnizimin e Ukrainës me armatim dhe marrëveshjen e partneritetit për paqe me NATO-n.
Ai ka thënë se në raport me veprimet e Serbisë, Kosova po zhvillon politikë reaktive. “Ne po e shohim vizitën e Vulinit në Rusi, por s’po i shohim sa i kanë në Perëndim... Këto janë politika të nivelit të lartë, me të cilat Serbia po tregon se politika fundamentale e saj ka ndryshuar. Po shkëputet përfundimisht nga Rusia”, ka thënë ai.
Tërheqjen e mundshme të letrës së Serbisë se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Brukselit, Rrecaj e ka quajtur si letër pa efekt juridik.